Hobbesi si Kosovar

Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve i paraprin shtetit. Tek Hobbesi. Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve vjen pasi që të bëhet shteti. Tek ne. Në Kosovë.

ShowBiz

16/11/2013 11:45

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (1)

 

Në mungesë të interesimit, nuk do të ketë të ardhme.

I madhi i fjalëve, polaku Czeslaw Milosz, fare shkurt, me një fjali të vetme pati përshkruar frymën e kohës, në Amerikën e viteve të shtatëdhjeta, kur konsumi ishte ideologji, argëtimi masiv ishte art, rebelimi i pacak ishte politikë, kur Apokalipsa njëjtësohej me Luftën bërthamore në mes dy superfuqive  (SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik), kur Engjëjt dhe Djajtë kishin në mes Perden e Hekurt të Winston Churchillit.

Czeslaw Milosz

Milosz, i ardhur vetë si ikanak prej Komunizmit, si besimtar i vlerave të Perëndimit, i shpëtuar e i mbijetuar prej një Përmbytjeje që ndodhte Non-Stop në Lindje, mendonte që nuk ka çfarë të tronditë amerikanët për të ndryshuar veten, apo për të kuptuar që jeta e tyre nuk është një rrëfim i sapodalë nga Hollywoodi, me një happy end të paracaktuar diku në Qiell.

E tash, çka kërkon këtu, në Kosovën e vjeshtës së vitit 2013-të, Miloszi me Amerikën e atëhershme, dhe me fjalinë e tij namëmadhe?

A mund edhe këtu, në Prishtinë, në Kryeqytetin e Kosovës, të përsëritet diç e tillë:

Në mungesë të interesimit, nuk do të ketë të ardhme. Për Kosovën si shtet.

Krahasim i gabuar, fjali fare e pavend, tentim i kotë që incidentalisht të kthehet vëmendja për një problem që stërmadhohet?

Të shumtë janë politikanët që do të rreshtoheshin menjëherë, në kundërvënie, në mohim, në zmbrapsje të kësaj thënieje, duke i numëruar ato që i dimë të gjithë. Shteti është shpallë, është njohur prej kaq e kaq shteteve të tjera, është bërë anëtare e kësaj dhe asaj organizate ndërkombëtare. Shteti ka kaq banorë (tash madje e dimë edhe këtë punë), ka kaq të ardhura për kokë banori, ka kaq para në llogarinë e tij, në buxhetin e tij. Shteti ka kaq të papunë dhe kaq të punësuar.

Dhe kështu me radhë.

Shteti është në hartën e Ballkanit dhe të Evropës, në Globin e Botës. Tekembrama.

E pra, Republika e Kosovës ka të ardhme. Nuk ka vend pikëpyetja këtu.

Pastaj, rendi i farë lufte të mirëfilltë, me Serbinë apo me këdo tjetër, që do ta kërcënonte me zhbërje (madje), Kosovën, nuk është. Kosova nuk është në Paktin NATO, por NATO nisi një herë të merret me Qiellin e Kosovës (vjeshtë 1998, pranverë 1999), e pastaj me Tokën dhe me Kufijtë e Kosovës (prej 12 qershorit, 1999), dhe nuk e ka në plan të largohet nga Kosova, pa e marrë vesh që Kosova e ka ndërmend të marrë udhën e sigurt kah Brukseli i NATO-s dhe i BE-së.

Tutje, Fundi i Botës sipas Kalendarit të Majave u tejkalua prej të gjithëve, pra edhe prej nesh, në Kosovë, në dhjetorin e vitit të kaluar.

Çka atëherë mëdysh të nesërmen e këtij shteti, nëse jo Zoti, jo Bota, as Serbia madje?

Ne. Ne vetë. Ne.

Tri herë duhet përsëritur këtë vlerësim. Po çfarë jemi bërë ne, edhe sikur të përsëritet njëqind herë, kush e di a na lë farë shenje.

Nëse bëjmë një përshkrim krejt ndryshe të Kosovës, jashtë statistikave dhe elementeve të rëndomta që zunë vend fare pak më parë, do të mund të thuhej kështu:

Shteti i Kosovës ka shumë pakënaqësi, frustrime, mllef brenda vetes, të mbledhur në njëqind mënyra, dhe nuk ka si t’i zbrazë.

Shteti i Kosovës ka shumë qytetarë të mërzitur me të këqijat e gjithëllojta, me të cilat nuk merret kush si duhet në këtë politikën kosovare.

Shteti i Kosovës ka mbetur pa busull. Kështu, ai, nuk e di më kah është Veriu, e pa të, nuk merret vesh pastaj ku është Perëndimi dhe ku është Lindja: Në politikë, në art, në vlerat qytetëruese, në modë e në muzikë, në sjelljet më të rëndomta.

Thomas Hobbes

Te Thomas Hobbesi, shteti bëhet për të vënë rend dhe ligj në shoqërinë njerëzore, e cila, në të kundërtën, bëhet pre e njerëzve të ligë dhe të fuqishëm njëkohësisht. Jeta aty nuk ka kurrfarë vlere.

Shteti pra i jep fund rrëmujës, e cila është e gjithëpushtetshme.

E te ne?

Hobbesi do të detyrohej, mbase, ta rishqyrtojë mendimin dhe veprën e tij.

Ai do të kuptonte, ta zëmë, që në shtetin e Kosovës, të krijuar pas gati njëqind vjet luftë të shumëllojshme me Serbinë, ku tri herë madje është kanosur edhe shfarosja e shqiptarëve në këtë vend, rrëmuja është më e fuqishme se rendi, urrejtja politike është mbizotëruese ndaj tolerancës, vjedhja e shtetit është më e organizuar se sa ruajtja e parasë publike, e kaluara sundon me të tashmen, shteti nëpërkëmbet në një mijë mënyra.

E kemi kthyer edhe Hobbesin mbrapsht.

Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve i paraprin shtetit. Tek Hobbesi.

Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve vjen pasiqë të bëhet shteti. Tek ne. Në Kosovë.

Tek ne GDP në fakt ka domethënien e Grindjes Demokratike Popullore.

Tek ne, PPP (Partneriteti Publik-Privat) mund lirisht të lexohet kështu: Përplasje e Përgjithshme Popullore.

Forcat ajrore amerikane, ato që në Qiellin mbi Kosovën dhe mbi Serbinë, paralajmëruan, në pranverën e vitit 1999, shkurorëzimin e shqiptarëve prej kobit qindvjeçar, kanë një Doktrinë që quhet OODA Loop, apo, observe, orient, decide, act, gjegjësisht: vëzhgo, orientohu, vendos, vepro.

Te të katërtat pra janë të ndërlidhura, për të mbërritur tek suksesi në një betejë.

Nuk mund dot të veprosh, pa e ditur ku je, pa analizuar rrethanat ku gjendesh, pa marrë një vendim të prerë.

Në Kosovën e këtyre ditëve, ne, rëndom, vendosim dhe veprojmë pa e pasur të qartë ku jemi, çka duam, ku synojmë të mbërrijmë.

Ne nuk përzihemi shumë në punët tona të brendshme. Si shtet. Por, e bëjmë lëmsh shtetin në emër të interesave tona private.

Partneriteti publik-privat zhvillohet pak a shumë në këtë mënyrë: Paratë e shtetit, përfitimi privat.

Ndërsa GDP-ja vjen e bëhet: Gërryerja Ditore e Parasë. Së shtetit.

Shteti i Kosovës pra, në përgjithësi, është në humbje, në deficit.

Shumë më tepër ka qytetarë të mërzitur sesa të lumtur. Shumë më tepër ka qytetarë që druajnë se çka do të ndodhë me ta në Kosovë, sesa të tillë që janë të siguruar. Shumë më tepër ka krim, korrupsion sesa drejtësi. Shumë më tepër ka rrena dhe mashtrime politike, sesa ndershmëri në politikë. Shumë më tepër ka fjalë të kota, sesa zotime të mirëfillta për të bërë punën e duhur për këtë vend. Shumë më tepër ka kërkim të shtegdaljes për këtë shoqëri dhe për këtë vend shtigjeve të gabuara që janë qorrsokakë të njohura për dhjetëra a qindra vjet, sesa përpjekje për të ecur shtegut që duhet ndjekur gjithsesi. Shumë më tepër ka huti sesa qartësi. Shumë më tepër ka dembeli sesa punë. Shumë më tepër ka indiferencë, sesa interesim për këtë shtet. Shumë më tepër ka injorancë të gjithëpushtetshme, sesa dije që ndihmon shtetin. Shumë më tepër ka nuk-ma-ndinë qasje sesa dashuri ndaj këtij shteti.

 

Të shtunën tjetër: Shkalla e besimit të qytetarëve të Kosovës në ata që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës, në politikën e Kosovës në përgjithësi, është e ulët, në variantin e mirë, dhe nuk ekziston fare, në atë të keqin.