Tri mundësitë për Prizrenin

Albin Kurti thotë se me Vetëvendosjen, policia nuk do t’u frikësohet kriminelëve, por kriminelët policisë.

Lajme

27/10/2013 10:33

Lëvizja Vetëvendosje, në vijim të fushatës elektorale, mbajti një tubim me banorët e fshatit Korishë.

Në këtë tubim, Albin Kurti foli për programin  qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në alternativën lokale dhe qendrore, parimet tona i kemi përshtatur me hallet e qytetarit. Ne do të angazhohemi që ta kthejmë prodhimin në ekonomi, e jo që shteti t’i lehtësojë prodhuesit e huaj për të shitur këtu duke i shpallur luftë prodhimit vendas.”

Në lidhje me premtimet milionëshe Kurti vuri në pah se “miku të jep bukë për të të mbushur barkun, kurse armiku të jep për ta mbyllur gojën. Këto milionat që premtojnë, e këto dreka që i japin, i bëjnë për ta blerë heshtjen qytetarëve.”

“Lëvizja Vetëvendosje! është i vetmi subjekt që flet për shtetin social, për barazi dhe solidaritet. “Pabarazia është fakt shoqëror dhe me ne roli i shtetit është që ta zbus këtë pabarazi”.

“Këto ditë që kam udhëtuar me mijëra kilometra për çdo ditë, nuk e kam parë asnjëherë që policët këto ditë asnjëherë nuk i ndalin xhipat luksozë me xhama të errët, por vetëm makina të vjetra. Me ne policia nuk do t’i frikësohet kriminelëve, por kriminelët policisë.”

“Është e vërtetë që policia dhe gjykatat komandohen nga pushteti, por këtë nuk e bëjnë nga qejfi. Me ardhjen tonë në pushtet, ata lirohen nga pushteti – dhe nëse ka policë e prokurorë që e duan pushtetin, ata duhet t’i heqim nga puna”.

Në fund Kurti tha se për partitë tjera puna mbaron me fitoren e zgjedhjeve, ndërsa për Vetëvendosjen  puna fillon pas fitores.

“Nëse ata janë të gatshëm të vdesin duke e vjedhur votë, ne jemi të gatshëm të vdesim për ta mbrojtur atë”.

Kandidati për Kryetar të Prizrenit, Arbër Rexhaj tha se në zgjedhjet e kaluara qytetarët prizrenas në mungesë të alternativave është dashur të zgjidhnin të keqen më të vogël.

“Sot kemi tri mundësi. E para është t’i zgjedhim ata që kohën e kalojnë në gjykata dhe përball drejtësisë”.

“E dyta është t’i zgjedhim ata që jetën e rëndë ekonomike e tejkalojnë me metafora të dala mode”.

“E treta, është alternativa e vetme e cila do të krijojë shembullin e mirë të qeverisjes, e cila nuk do të përfshihet dhe marr pjesë në korrupsion, alternativa e  cila ka zgjidhje për Prizrenin. Ne nuk ju premtojmë miliona euro, por mund t’ju garantojmë vetëm angazhimin tonë të plotë në punë”.