Statujë për Mandelën

Mbështetësit e Mandelës janë shumë të lumtur për shëndetin e mirë që gëzon ai, ndërsa statuja e tij do të jetë e gatshme në përvjetorin e 20-të të demokracisë në Afrikën e Jugut.

Bota

03/09/2013 14:25

 

Ministri i Kulturës dhe Arteve i Afrikës së Jugut, Paul Mashatile, njoftoi të martën se statuja e Presidentit Nelson Mandela do të vendoset në ndërtesat Union vitin e ardhshëm.

“Vitin e ardhshëm ne do ta festojmë 20 vjetorin e demokracisë, dhe planet janë që statujën ta vendosim në kohën kur do të fesotjmë’.

Mashatile, në një konferencë në Johannesburg u shpreh i lumtur për lirimin e Mandelës nga spitali.

Të dielen Presidenca njoftoi se Mandela ishte ende në gjendje kritike, por ai u lirua nga spitali, ‘Pretoria Medi-Clinic Heart Hospital’, ku ai ishte trajtuar që nga data 8 qershor.

“Ne jemi të lumtur që babai themelues i kombit tonë është lëshuar nga spitali dhe ai është tani në shtëpi”, tha ai.

Statujat e famshme të Mandelës janë në sheshin e Parlamentit, në Londër si dhe në sheshin ‘Sandton’ në Johannesburg.

Mashatile tha se statuja do të ngrihet në frymën e trashëgimisë së Mandelës.

“Ne kemi nevojë të ngrisim simbole të reja që pasqyrojnë se kush jemi ne si komb – ta pasqyrojmë historinë tonë të vërtetë”.

Ai më tej u ndal në ruajtjen e historisë së Robben Island, ku Mandela kaloi 18 vjet dënim, që kur ishte 27 vjeçar.

“Unë pajtohem se duhet bërë shumë në lidhje me historinë e Robben Island. Duhet më shumë trajtim”.

Ndërkohë Presidenti Jacob Zuma tha të mërkurën në mëngjes se ishte ndier shumë i kënaqur me kujdesin që Mandela kishte marrë në shtëpinë e tij në Houghton në Johanesburg.