Me rininë për ndryshim
Shpend Ahmeti u takua me të rinjtë e Prishtinës. Ai tha se vetëm Vetëvendosja do të sjell ndryshimin, andaj kërkoi votën e tyre.
Lajme
Shpend Ahmeti u takua sot me të rinjtë e kryeqytetit, dhe u kërkoi atyre votën duke thënë se Vetëvendosje është ndryshimi.
“Ne e konsiderojmë rininë si një burim të vendit dhe angazhohemi që për të rinjtë e Kosovës të krijohen vende të reja pune, kushte për zhvillim personal dhe profesional, pa pasur nevojë për të ikur në vendet më të zhvilluara duke përfunduar si fuqi e lirë punëtore”.
“Të votojmë të gjithë bashkë për ndryshimin. Ndryshimi është Lëvizja Vetëvendosje. E kjo i konvenon edhe vetë Isa Mustafës, për shkak se edhe pak vjet del në pension, e ne e kemi programin më të mirë për pensionin”, u shpreh Ahmeti.
I pranishëm në këtë tubim me të rinjtë ishte edhe deputetit Glauk Konjufca, i cili tha se qeverisja aktuale e Prishtinës nuk është përkujdesur për rininë sepse ata vetë janë “pushtet i vjetruar”.
“Pushteti i LDK’së në kryeqytet nuk është përkujdesur për rininë sepse është pushtet i vjetruar. Rinia është vitale për nga natyra dhe karakteri, kurse pushteti i LDK’së në Prishtinë veç është stërkequr qe 13 vite me radhë. Rinia është dinamike dhe aktive në thelbin e saj, kurse pushtetin e Isa Mustafës e ka shquar pasiviteti. Rinia lëviz, prandaj po bashkohet në Lëvizje gjithnjë e më shumë”.
Konjufca u shpeh se Mustafa ka harruar kohën kur ka qenë i ri, sepse ajo tashmë për të është një fazë e largët e jetës.
“Por, vjetërsia nuk qëndron te mosha për sa kohë kemi pleq shumë progresivë apo edhe ndonjë të ri të prapambetur”, tha deputeti Konjufca.