Mentaliteti tradicional dhe mosrespektimi i ligjit, faktorë që po ndikojnë në rritjen e dh*nës në Kosovë
Vrasjet dhe rastet e dhunës në Kosovë nuk mund të shpjegohen vetëm me problemet e shëndetit mendor apo abuzimin me substanca narkotike. Mentaliteti tradicional, raportet patriarkale dhe mosrespektimi i ligjit janë ndër faktorët që, sipas psikiatrit Bujar Berisha, ndikojnë në këto fenomene. Në emisionin “Shëndeti sot” të KosovaPress, Berisha ka folur për ngjarjet e fundit…
Lajme
Vrasjet dhe rastet e dhunës në Kosovë nuk mund të shpjegohen vetëm me problemet e shëndetit mendor apo abuzimin me substanca narkotike. Mentaliteti tradicional, raportet patriarkale dhe mosrespektimi i ligjit janë ndër faktorët që, sipas psikiatrit Bujar Berisha, ndikojnë në këto fenomene.
Në emisionin “Shëndeti sot” të KosovaPress, Berisha ka folur për ngjarjet e fundit të vrasjeve në vend, duke theksuar se zakonet dhe traditat në shumë raste vazhdojnë të mbizotërojnë ndaj normave ligjore.
“Mund të ndodh që ka lidhje në mes të abuzimit të substancave dhe ngjarjeve të fundit që po ndodhin në Kosovë, po në këtë aspekt, besoj që edhe aspekti kulturorë ka një domethënie mjaft të qëndrueshme meqenëse nga aspekti kulturorë ne nuk jemi të përgatitur, qoftë ta njohim ligjin qoftë ta respektojmë ligjin për shkak se zakonet dhe traditat tona janë pak më rigjide, në atë fakt edhe reagimet e individëve shkojnë më shumë në atë shkallë saqë shihet më shumë tradicionalja se ajo ligjorja”, tha Berisha.
Ai vlerëson se institucionet duhet të jenë më efikase në parandalimin e dhunës, duke theksuar se disa nga rastet e vrasjeve mund të ishin parandaluar përmes reagimit më të mirë institucional.
“Institucione duhet të jenë më efikase në këtë aspekt, nëse institucionet do të ishin më efikase disa vrasje mund të parandaloheshin, unë një ditë për kuriozitet hyra dhe pashë statistika për vitin 2026, pash që Kosova për numrin e banorëve printe në dhunën ndaj grave dhe vrasjen e tyre, ishte Kosova pastaj vinin vendet e tjera”, theksoi psikiatri.
Berisha ka folur edhe për paragjykimet ndaj personave me çrregullime mendore, duke kundërshtuar përgjithësimin se ata janë shkaktarët kryesorë të dhunës dhe vrasjeve.
Sipas tij, personat me skizofreni nuk janë domosdoshmërisht të dhunshëm, ndërsa në raport me popullsinë e përgjithshme, më shumë raste të dhunës dhe vrasjeve shkaktohen nga persona që nuk kanë çrregullime të tilla.
“Zakonisht skizofrenët nuk reagojnë, është një pjesë e tyre që janë paranojakë. Paranoja është prej idesë së përndjekjes të përcjelljes, Ata mund të ndodh nganjëherë që të jenë agresiv, me personin tjetër, por nuk janë skizofrenet që shkaktojë vrasjen, po dhuna në familje ekziston si pasojë e vështirësive të individit që e ka sëmundjen, jo si pasojë që individi shkakton dhunë, diku është 05 deri një për qind e popullatës që mund ta kenë një të sëmurë të tillë, dhe nëse merret me popullatën e përgjithshme, ne të shëndoshit shkaktojmë më shumë dhunë në familje dhe vrasje”, tha psikiatri.
Duke folur për shkaqet e vrasjeve, Berisha ka bërë dallimin ndërmjet rasteve që lidhen me çrregullimet e rënda mendore dhe atyre që, sipas tij, ndikohen nga bindjet kulturore dhe interesat personale.
Ai thekson se në disa raste autorët mund të përpiqen t’i arsyetojnë veprimet e tyre përmes bindjeve tradicionale, duke mos e kuptuar plotësisht përgjegjësinë ligjore.
“Të sëmurit psikik vrasjet i kanë më karakteristike, ne i quajmë bizare, të tjerët të cilët prekët interesi i tyre që quhen kulturore janë vrasje me të cilën edhe individi nuk e pranon pse e ka vra, për shkak se e ka arsyen e vet të vrasjes, dhe vrasësi pastaj është në dilemën kulturore dhe ligjore, dhe mund të çuditet pse ai futet në burg për një gjest të tillë për të cilin e ka bërë, për atë arsye do të thotë institucioneve ju mbetet si detyrë që shumë të punohet sidomos në shkolla tek fëmijët, tek të rinjtë, në ndryshimin e asaj që quhet të kuptuarit, çka është ligjore dhe çka është institucionale, në momentin kur e kuptojnë që ligji është ai që vendos mbi të gjitha atëherë ndryshimet fillojnë në trurin tonë. Ne jetojmë në një formë të dualitetit aktualisht, si shoqëri tradicionale, prandaj kemi edhe raste që na shokojnë meqenëse nuk mund të jemi në gjendje ta kuptojmë çfarë është ligjore dhe çfarë është kulturore”, tha psikiatri.
Për parandalimin e vrasjeve, Berisha kërkon edukim më të madh të qytetarëve për ligjin dhe pasojat e shkeljes së tij. Ai beson se respektimi i ligjit dhe ndryshimi i mentalitetit tradicional do të ndikonin në uljen e dukshme të rasteve të dhunës.
“Është pyetje që rrallë kush mund të jep përgjigje, mirëpo detyra e institucioneve është që ta edukojmë më shumë popullatën me ligjin që e kemi ne, me ligjet tona. Çka ndikon nëse ndodh diçka? Do me thënë njeriu burgoset, dhe mund të jenë edhe i përjetshme dënimi për të. Kur të fillojmë ne të jemi në një drejtim me ligjin, shumë gjëra do të rregulloheshin. Mirëpo a do të ndaleshin vrasjet, besoj që në Kosovë, do të binte shumë numri, gati në zero, me faktin se të një aspekti kulturorë dhe tradicionalë që është tek ne. Respekti për tjetrin dhe respektimi i zotit të shtëpisë, dhe vendimet që merren në komunitet”.
Psikiatri ka kritikuar edhe mentalitetin patriarkal, ku autoriteti i një personi vazhdon të përcaktojë vendimmarrjen dhe marrëdhëniet brenda familjes.
Duke përdorur shprehjen “sundon dinosauri në shtëpi”, ai ka përshkruar vështirësitë që krijon ky mentalitet në funksionimin e shoqërisë.
“Kjo është problematika, edhe vështirësia e funksionimit të një shoqërie, kur sundon dinosauri në shtëpi, do të thotë kjo, është shumë problematike, dhe problematika e tillë, ajo rregullohet me kohën, mirëpo duke shpjegu gjithmonë po insistoj me ligjet me të cilat ne duhet të funksionojmë, nëse ne i respektojmë ligjet e funksionimit tonë, atëherë do të ishte shumë më lehtë të tejkalohet, kjo pjesa tradicionale që ekziston tek ne”, theksoi doktori.
Berisha vlerëson se ndryshimi i mentalitetit kërkon kohë, edukim dhe angazhim të vazhdueshëm institucional, veçanërisht në shkolla dhe te gjeneratat e reja.
Sipas tij, respektimi i ligjit mbi zakonet dhe traditat është një nga kushtet kryesore për ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe parandalimin e dhunës.