“Vrapo për Flamur”, gara që bashkoi qytetarët në Prekaz për 28 Nëntor
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz po shënohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit, me homazhe në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Qytetarë dhe përfaqësues institucionalë kanë bërë homazhe në nderim të familjes Jashari dhe dëshmorëve të kombit. Në kuadër të aktiviteteve është organizuar edhe gara e vrapimit “Vrapo për Flamur”,…
Lajme
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz po shënohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit, me homazhe në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Qytetarë dhe përfaqësues institucionalë kanë bërë homazhe në nderim të familjes Jashari dhe dëshmorëve të kombit.
Në kuadër të aktiviteteve është organizuar edhe gara e vrapimit “Vrapo për Flamur”, me distanca 11 dhe 28 kilometra, ku kanë marrë pjesë qytetarë të moshave të ndryshme.
Qytetari Dion Dërguti, duke folur për KosovaPress theksoi rëndësinë e sakrificës së familjes Jashari.
“Adem Jashari sakrifikoi të gjithë familjen e tij. Për çlirimin që ne të jetojmë të lirë. Të gëzojmë lirinë. Domethënë, më shumë se vetë jeta që vlerën këta e kanë sakrifikuar, domethënë jetën për, për ne, që të jetojmë të lirë”, tha Dërguti.
Ndërkaq, Ilir Durmishi, njëri nga pjesëmarrësit në aktivitetin e vrapimit, ka thënë se kjo garë ndërlidhet me data dhe ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
“Aktiviteti lidhet me shumë data. Për shembull, diku fillu prej Skënderbeut e deri në Ismail Qemalin. Dalja e UÇK-së në skenë, ditëlindja e Adem Jasharit, edhe tash më në fund kur jena në liri, normal që me bë një aktivitet që brez pas brezi me kujtu. Sezonin i gjashtë. Mirë është duke shku”, tha ai.
Durmishi ka ndarë edhe emocionet e tij, duke kujtuar kohën e luftës, kur ishte 17-vjeçar dhe jetonte në afërsi të Skenderajt.
“Po, është një emocion. Unë tash, në kohën e luftës, kam qenë djalë i ri, 17 vjeç, kom jetu këtu në Skënderaj, me një fshat afër Skënderajt. Tash kujtohen do gjëra, po mirë që jena në liri edhe tash po e festojmë duke vrapu, tu bo qejf”, shtoi Durmishi.
Pjesë e garës ishte edhe Alestela, gazetare me origjinë nga Anglia, e cila jeton në Shqipëri tash e nëntë vjet. Ajo ka shprehur kënaqësinë dhe krenarinë që po merr pjesë në këtë aktivitet së bashku me qytetarët shqiptarë.
“Për mua shumë krenari, sepse Kosova është vendi shumë i bukur, edhe jam shumë krenare për të vrapuar me shoqet dhe shokët shqiptarë, dhe është një ditë e bukur. Më fal për shqipen time, po është gjuhë pak e vështirë për mua”, tha ajo.
Aktivitetet në Prekaz po zhvillohen në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit, një prej datave të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, që përkujton sakrificën, rezistencën dhe rrugën drejt lirisë.