Aksident masiv në Zvicër, përfshihen 37 automjete dhe lëndohen 10 persona
Një aksident masiv me 37 automjete ka ndodhur në autostradën A1 në Zvicër, duke lënë 10 persona të lënduar. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:45, në drejtim të St. Gallenit, ndërmjet Baltenswil dhe Winterthur-Töss, raporton mediumi zviceran Blick. Zëdhënësi i Policisë së Kantonit të Cyrihut, Alexander Renner, ka konfirmuar se bëhet fjalë për disa aksidente…
Bota
Një aksident masiv me 37 automjete ka ndodhur në autostradën A1 në Zvicër, duke lënë 10 persona të lënduar.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:45, në drejtim të St. Gallenit, ndërmjet Baltenswil dhe Winterthur-Töss, raporton mediumi zviceran Blick.
Zëdhënësi i Policisë së Kantonit të Cyrihut, Alexander Renner, ka konfirmuar se bëhet fjalë për disa aksidente që kanë ndodhur njëkohësisht, ku janë përfshirë 23 vetura, 6 furgonë dhe 8 kamionë.
Nga 10 personat e lënduar, 6 kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa 4 lëndime të shkallës së mesme.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen dhe janë objekt i hetimeve, megjithatë dyshohet se kushtet dimërore mund të kenë luajtur rol.
“Shumë automjete kanë ngecur në njëra-tjetrën”, ka deklaruar Renner.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga BRK News, rruga në momentin e aksidentit ishte jashtëzakonisht e rrëshqitshme, por Policia ende nuk e ka konfirmuar këtë informacion.
Si pasojë e aksidentit është krijuar një kolonë automjetesh prej 9 kilometrash, ndërsa edhe rrugët alternative janë mbingarkuar.
Sipas Touring Club Switzerland (TCS), segmenti i prekur i autostradës pritet të mbetet i mbyllur deri në orën 13:00.
Ekipet e emergjencës po punojnë për largimin e automjeteve të aksidentuara dhe normalizimin e qarkullimit.



