Mesazhi i presidentes në Ditën e Forcës: Krah për krah me SHBA-në do ta forcojmë ushtrinë tonë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e ushtrisë dhe avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse. Në mesazhin e saj me rastin e Ditës së Forcës, presidentja ka theksuar se Ushtria e Kosovës mishëron aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt. “Si Presidente e Republikës…

Lajme

27/11/2026 09:35

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e ushtrisë dhe avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Në mesazhin e saj me rastin e Ditës së Forcës, presidentja ka theksuar se Ushtria e Kosovës mishëron aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt.

“Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj”, ka deklaruar Shiroka Pula.

Ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët strategjikë për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka theksuar presidentja.

Shiroka Pula ka nderuar gjithashtu sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, duke vlerësuar se sakrifica e tyre mbetet burim i përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët i shërbejnë mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët. Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës!”, ka përfunduar Shiroka Pula.