Lista Serbe i ankohet ambasadorit gjerman për komunat serbe dhe shtëpitë në Liqenin e Ujmanit

Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar sot me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolf, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe pozitën e komunitetit serb. Sipas njoftimit të Listës Serbe, gjatë takimit është diskutuar edhe për çështje që lidhen me komunat me shumicë serbe dhe projektligjin për Inspektoratin Qendror…

Lajme

26/11/2026 13:13

Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar sot me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolf, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe pozitën e komunitetit serb.

Sipas njoftimit të Listës Serbe, gjatë takimit është diskutuar edhe për çështje që lidhen me komunat me shumicë serbe dhe projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, shkruan lajmi.net.

Përfaqësuesit e kësaj partie kanë theksuar nevojën për ndryshimin e këtij projektligji, ndërsa kanë ngritur edhe shqetësimet e tyre lidhur me, siç pretendojnë, rrezikimin e kompetencave të garantuara me ligj për komunat me shumicë serbe.

Në njoftim thuhet se deputetët e Listës Serbe kanë diskutuar me ambasadorin gjerman edhe për mungesën e ndarjes së mjeteve nga buxheti qendror për nevojat e komunitetit serb dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këto komuna.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ka qenë ajo e shtëpive në zonën e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut, për të cilat Lista Serbe pretendon se po rrënohen në mënyrë të paligjshme.

Deri më tani, në njoftimin e publikuar nga Lista Serbe nuk janë dhënë detaje të tjera për përfundimet e takimit apo qëndrimin e ambasadorit gjerman lidhur me çështjet e ngritura. /Lajmi.net/