Ditët e Aktivizmit kundër dh*nës ndaj Grave, kërkohet nga MD-ja ndryshimi i sloganit “Raporto dh*nën”
Shoqëria civile ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se përderisa në nivel ndërkombëtar kampanja e Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave shënohet me thirrje për garantimin e drejtësisë, kjo ministri përmes sloganit “Raporto dhunën” po e bart te viktimat barrën e dështimeve institucionale. Organizatat nënshkruese të këtij reagimi konsiderojnë se përzgjedhja e këtij…
Lajme
Shoqëria civile ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se përderisa në nivel ndërkombëtar kampanja e Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave shënohet me thirrje për garantimin e drejtësisë, kjo ministri përmes sloganit “Raporto dhunën” po e bart te viktimat barrën e dështimeve institucionale.
Organizatat nënshkruese të këtij reagimi konsiderojnë se përzgjedhja e këtij slogani përballë dështimeve të vazhdueshme shtetërore në luftimin e dhunës ndaj grave reflekton mungesë të thellë të kuptimit të natyrës strukturore të dhunës me bazë gjinore, të përgjegjësisë institucionale dhe të ndjeshmërisë ndaj viktimave.
Përmes këtij slogani, Ministria e Drejtësisë e zhvendos vëmendjen nga dështimi i shtetit për të vepruar, tek veprimi që duhet të ndërmarrë viktima, duke riprodhuar barrën disproporcionale që gratë tashmë bartin në përpjekjet e tyre për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi, thekson Shoqëria Civile.
Përzgjedhja e sloganit të sivjetmë nuk është thjesht një gabim në komunikimin publik, por pasojë e përvetësimit të aktivizmit nga institucioni ndaj të cilit ky aktivizëm duhet të drejtohet.
Organizatat nënshkruese kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të heqë dorë nga roli udhëheqës në organizimin e kampanjës së 16 Ditëve të Aktivizmit dhe rekomandon rikthimin e koordinimit përmes Grupit për Siguri dhe Gjini (SGG), duke garantuar që udhëheqja përmbajtësore dhe artikulimi i kërkesave t’u takojnë organizatave të grave, aktivisteve feministe dhe shoqërisë civile.
Kampanja e 16 Ditëve të Aktivizmit përfaqëson një platformë të mobilizimit qytetar për adresimin e pabarazive strukturore dhe kërkimin e llogaridhënies nga shteti.
Në Kosovë, kampanja shënohet që nga 2010 dhe për vite me radhë është koordinuar nga UN Women, ndërsa nga viti 2022, Ministria e Drejtësisë ka marrë rol dominues në organizimin e saj.
16 Ditët e Aktivizmit janë rezultat i dekadave të organizimit, rezistencës dhe angazhimit politik të lëvizjes së grave dhe aktivisteve feministe.
Njëkohësisht, organizatat nënshkruese kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të rishikojë sloganin qendror të kampanjës së sivjetme, duke e orientuar atë drejt llogaridhënies institucionale, mbrojtjes efektive të viktimave dhe eliminimit të mosndëshkimit.
Organizatat nënshkruese janë Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Kosova Women for Women (KW4W), Qendra për Barazi dhe Drejtësi, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR KS), Iniciativa e Re Sociale (NSI) Instituti Sekhmet, Civil Rights Defenders, Artpolis, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE).