Zgjedhjet presidenciale në Serbi, më 27 dhjetor
Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ka shpallur zgjedhjet e reja presidenciale të cilat do të mbahen më 27 dhjetor. “Shpresoj që të kemi një zgjedhje të vështirë mes kandidatëve të nivelit të lartë dhe programeve të tyre. Debatet publike dhe procesi demokratik zgjedhor le të…
Lajme
Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ka shpallur zgjedhjet e reja presidenciale të cilat do të mbahen më 27 dhjetor.
“Shpresoj që të kemi një zgjedhje të vështirë mes kandidatëve të nivelit të lartë dhe programeve të tyre. Debatet publike dhe procesi demokratik zgjedhor le të jenë thirrje për pjesëmarrje të lartë në votime”, tha Çupiq.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që më 27 dhjetor të jenë të përgjegjshëm dhe të dalin në votime.
“Që vullneti i popullit të nxjerrë një president të Republikës me legjitimitet të fuqishëm, i cili do të jetë shprehje e qartë e unitetit shtetëror”, tha ai.
Zgjedhjet u shpallën pasi Aleksandar Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë më 27 shtator.
Sipas Ligjit për presidentin në Serbi, nëse presidentit i përfundon mandati para kohe, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se tre muaj nga dita e përfundimit të mandatit.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit me qëllim që të garonte në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 25 tetor. Këto zgjedhje i fitoi Lista Studentore.
Lista Studentore pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale reaguan duke thënë se Serbinë e pret pret edhe një zgjedhje tjetër që fitorja e kësaj liste, siç është thënë, të jetë e plotë.
“Bashkë kemi shkruar historinë. Por lufta jonë nuk ka përfunduar”, shkruan ata në Instagram.
Deputeti i Listës Studentore, Illija Sërdanoviq, kishte paralajmëruar më herët se kjo listë do ta publikojë emrin e kandidatit të saj për president të Serbisë menjëherë pasi të shpallen zgjedhjet presidenciale.
Në anën tjetër, kryetari i grupit parlamentar “Serbia fiton”, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë që Partia Përparimtare Serbe (SNS) të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore shënoi fitore bindëse ndaj SNS-së, në krye të listës së së cilës ishte Vuçiq. Kjo parti ka udhëhequr me Serbinë për 14 vjet.
Pas zgjedhjeve në Serbi, deputetët kanë konstituuar përbërjen e re parlamentare, ndërsa tani pritet edhe formimi i Qeverisë së re. REL