Prishtina siguron 19 vende pune për gratë viktima të dh*nës në familje

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti do të sigurojë 19 vende pune për gratë që kanë qenë viktima të dhunës në familje. Kjo nismë po realizohet përmes një memorandumi bashkëpunimi, të nënshkruar nga Rama dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Sipas njoftimit të Ramës, memorandumi është realizuar…

Lajme

25/11/2026 13:26

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti do të sigurojë 19 vende pune për gratë që kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Kjo nismë po realizohet përmes një memorandumi bashkëpunimi, të nënshkruar nga Rama dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Sipas njoftimit të Ramës, memorandumi është realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale të Kryeqytetit, të udhëhequr nga Adelina Sahiti.

Nisma ka për qëllim mbështetjen e punësimit dhe fuqizimin ekonomik të grave që kanë përjetuar dhunë në familje, duke u krijuar mundësi për një jetë më të pavarur.

Rama ka theksuar se kjo është një nga nismat përmes së cilave synohet të ofrohet mbështetje konkrete për këto gra.

“Kryeqyteti Prishtina ju ka n’mendje!”, ka përfunduar ai njoftimin e tij. /Lajmi.net/