Tre zyrtarë gjykatash dhe një avokat dyshohen se kërkuan 10 mijë euro për ndikim në Gjykatën e Apelit – Prokuroria jep detaje të reja
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar katër persona për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ushtrimin e ndikimit. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi i të dyshuarve me inicialet E.P., S.J., S.M. dhe A.D. është bërë pas disa muajsh hetime, të zhvilluara në koordinim me…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar katër persona për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ushtrimin e ndikimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi i të dyshuarve me inicialet E.P., S.J., S.M. dhe A.D. është bërë pas disa muajsh hetime, të zhvilluara në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.
Dy nga të dyshuarit, E.P. dhe S.J., dyshohet se i kanë kërkuar 10 mijë euro një personi me inicialet M.S., me qëllim të ndikimit në vendimmarrjen e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit, në një rast që lidhet me kontest pronësor për shpronësim.
Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit i është thënë se 5 mijë euro do t’i jepeshin gjyqtarit që do të merrte vendimin, ndërsa pjesa tjetër do të ndahej në mënyrë të barabartë ndërmjet dy të dyshuarve.
Në anën tjetër, E.P., A.D. dhe S.M. dyshohet se kanë ndikuar edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitën “Zyrtar për Shërbime” në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit dyshohet se kanë ndërhyrë në rezultatin e konkursit, duke u mundësuar favore të padrejta dhe jo meritore kandidatëve të caktuar, në dëm të kandidatëve të tjerë. Si rezultat, në këtë pozitë dyshohet se është punësuar një familjar i të dyshuarit S.M.
Sipas Prokurorisë, E.P. dhe S.J. dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, ndërsa A.D. dhe S.M. për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Të katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: