Ndryshon drejtimi i një njësie të KFOR-it në Kosovë, ja kush e merr komandën
Në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës, ku koloneli Gianfranco Di Fiore ia ka dorëzuar detyrën e komandantit të regjimentit kolonelit Steven Chenet. Ceremonia është udhëhequr nga komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori. Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë…
Lajme
Në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës, ku koloneli Gianfranco Di Fiore ia ka dorëzuar detyrën e komandantit të regjimentit kolonelit Steven Chenet.
Ceremonia është udhëhequr nga komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë periudhës së komandimit të kolonelit Di Fiore, Regjimenti MSU ka kontribuar në aktivitetet e përditshme të misionit përmes pranisë së vazhdueshme në terren, patrullimeve në këmbë dhe me automjete, si dhe monitorimit të situatës së sigurisë, me fokus të veçantë në veri të Kosovës.
Njësia ka zhvilluar gjithashtu iniciativa në mbështetje të institucioneve dhe komuniteteve lokale, me qëllim të ndërtimit të besimit ndërmjet qytetarëve.
Pjesë e angazhimeve të saj kanë qenë edhe trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta me njësitë e tjera të KFOR-it, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit, koordinimit operacional dhe aftësive për reagim ndaj sfidave të sigurisë.
Me rastin e ndërrimit të komandës, gjeneralmajori Vergori ka vlerësuar kontributin e pjesëtarëve të MSU-së në misionin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, përkushtimit, disiplinës dhe paanshmërisë në përmbushjen e detyrave.
“Ky është thelbi i misionit tonë: t’u shërbejmë dhe t’i mbrojmë qytetarët e Kosovës, pa dallim dhe me paanshmëri absolute”, ka deklaruar Vergori.
Ai ka shtuar se besueshmëria ndërtohet përmes veprimeve dhe vendimeve të përditshme, ndërsa angazhimi i përbashkët i pjesëtarëve të KFOR-it kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) përbëhet kryesisht nga pjesëtarë të Karabinierëve italianë, por në përbërjen e saj ka edhe pjesëtarë të policisë ushtarake nga vende të tjera.
MSU i ofron KFOR-it kapacitete të specializuara në menaxhimin e rendit publik dhe kontrollin e turmave e trazirave, duke kontribuar në zbatimin e mandatit të misionit, të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. /Lajmi.net/