5 vjet e 6 muaj burgim për të akuzuarin për vrasje në tentativë në Pejë, një vit burg për një person që i ndihmoi pasi e kreu veprën
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të pandehurve, B.A. dhe E.H., në një çështje penale që përfshin veprat penale të vrasjes në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe ndihmës ndaj kryerësit pas kryerjes së veprës penale. Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri B.A. është shpallur fajtor për…
Lajme
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të pandehurve, B.A. dhe E.H., në një çështje penale që përfshin veprat penale të vrasjes në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe ndihmës ndaj kryerësit pas kryerjes së veprës penale.
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri B.A. është shpallur fajtor për vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjykata ka bërë të ditur se veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, për të cilën ishte akuzuar fillimisht, e ka rikualifikuar në vrasje në tentativë.
Për këto dy vepra penale, B.A. është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim efektiv.
Ndërkaq, i pandehuri E.H. është shpallur fajtor për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, për çka është dënuar me një vit burgim efektiv.
Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur që ndaj B.A. të vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.
Të dy të dënuarit janë obliguar që veç e veç t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa i dëmtuari është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë përmes kontestit të rregullt civil-juridik. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: