Tri raste brenda një nate në Kosovë, ish-partnerë kërcënojnë dhe ushtrojnë dh*në ndaj viktimave

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar brenda natës në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Gjakovë, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës. Në Prishtinë, më 21 nëntor, rreth orës 18:59, është raportuar se një person, ish-i dashuri i viktimës, dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj, si dhe e kishte kërcënuar…

Lajme

22/11/2026 08:38

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar brenda natës në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Gjakovë, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në Prishtinë, më 21 nëntor, rreth orës 18:59, është raportuar se një person, ish-i dashuri i viktimës, dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj, si dhe e kishte kërcënuar me jetë atë dhe familjen e saj.

Sipas Policisë, i dyshuari nuk është takuar dhe gjendet në arrati.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.

Një rast tjetër është raportuar në Fushë Kosovë, rreth orës 22:00, ku një person dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje, e kishte kërcënuar partneren përmes mesazheve telefonike. Pas takimit, ai dyshohet se e kishte kapur dhe shtyrë viktimën.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në Gjakovë, rreth orës 02:10, është raportuar një rast tjetër. Një person dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e axhës së bashkëshortes së tij për të biseduar me të, pasi ajo ishte larguar për shkak të dhunës sistematike.

Gjatë këtij rasti, i dyshuari dyshohet se kishte sulmuar me thikë axhën e bashkëshortes.

“I dyshuar dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

I dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit janë konfiskuar tri thika. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje. /Lajmi.net/