As vendi i të parëve nuk po respektohet, mbeturinat hidhen mbi varret e vjetra në Irzniq

Hedhja e mbeturinave në vendet që nuk janë të përcaktuara vazhdon të mbetet shqetësim në Komunën e Deçanit. Ky ves i keq po vazhdon, edhe pse dy muaj më parë Asambleja komunale e Deçanit, përmes një vendimi të veçantë, ka caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave të ngurta në fshatin Llukë të Ulët, vendim i…

Lajme

22/11/2026 08:27

Hedhja e mbeturinave në vendet që nuk janë të përcaktuara vazhdon të mbetet shqetësim në Komunën e Deçanit. Ky ves i keq po vazhdon, edhe pse dy muaj më parë Asambleja komunale e Deçanit, përmes një vendimi të veçantë, ka caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave të ngurta në fshatin Llukë të Ulët, vendim i cili është aprovuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Edhe pse vetëm dy muaj më parë, Asambleja Komunale e Deçanit, përmes një vendimi të veçantë, ka caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave të ngurta në fshatin Llukë të Ulët, vendim ky i miratuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, hedhja e mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm po vazhdon.

Rasti më i fundit është evidentuar në fshatin Irzniq, përkatësisht në lokacionin e njohur si “Vorret e Shalës”, ku mbeturinat po hidhen mbi varrezat e vjetra, të cilat, sipas banorëve, përbëjnë trashëgimi të të parëve të tyre.

“Këto varre janë më të vjetrat në Irzniq. Ka varre edhe në disa vende të tjera, por këto janë më të vjetrat, të cilat pothuajse askush nuk i mban mend. As unë, as babai im nuk i mbajmë mend fare. Një plak e kam pasur pyetur, Haxhi Zekën, se sa vjeç ishte. Më kishte thënë se i kishte 98 vjet. E pyeta nëse i mbante mend këto varre, dhe më tha jo, por se babai i tij i kishte treguar se këto varre ishin të të parëve tanë. Para luftës, kjo pjesë ka qenë një lëndinë shumë e bukur. Pas luftës, njerëzit tanë, siç jemi, kanë filluar të hedhin mbeturina e gjithçka tjetër. Madje, po çuditem se si ua mban fytyra të hedhin mbeturina mbi varre, me sy hapur”, thekson banori Beqir Miftari.

E kryetar i fshatit Irzniq, Shaqir Dacaj, thekson se ka menduar se pas luftës do të vetëdijësohemi dhe do të kujdesemi për këtë pjesë, por çdo ditë po përballemi me raste të ndryshme të papërgjegjësisë, siç po shihet edhe këtu, te ‘Vorret e Shalës’.

“Shpresojmë që tash e tutje të ketë më shumë vetëdijesim. Edhe ne si fshat, e unë si kryetar, do ta marrim iniciativën për ta pastruar këtë pjesë të varrezave, me shpresën që ky të jetë rasti i fundit kur mblidhemi për të larguar mbeturinat. Është më mirë të mblidhemi për ndonjë punë të mirë, e jo për mbeturina, sepse kjo nuk është aspak e natyrshme”, tha ai.

Edhe zyrtarët komunalë të Deçanit thonë se, pavarësisht kujdesit të vazhdueshëm dhe aksioneve për pastrimin e deponive ilegale, kjo dukuri e shëmtuar po vazhdon. Ata paralajmërojnë masa ndëshkuese ndaj qytetarëve të papërgjegjshëm.

“Ka ende vende të caktuara ku njerëz të papërgjegjshëm vazhdojnë me këtë dukuri. Ne prap jemi në teren dhe në aksion aty ku ka ankesa prej qytetarëve për deponi ilegale me i pastru, mirëpo prapëseprap po vazhdon. Edhe inspeksioni është në terren me gjoba mandatore që parashihen ehde me rregulloren për shërbime publike dhe rregulloren për menaxhimin e mbeturinave. I ftoj qytetarët e Deçanit, sidomos bizneset që të kenë kujdes, të mos hudhin mbeturina vend e pa vend se mbeturinat inerte e kanë lokacionin në Llukë të Ulët, ndërsa për mbeturinat e ekonomive familjare shërbimet e kryen “Higjiena” për çdo javë, prandaj nuk është e arsyeshme të hudhen mbeturina që e ndotin ambientin se kjo është keq edhe për fëmijët e tyre, ambientin dhe për shoqërinë prandaj të jenë të kujdeshëm sepse përndryshe do të ballafaqohen me gjoba mandatore prej inspeksionit por edhe nga policia”, tha Izet Zenuni, drejtor për Shërbime Publike dhe Inspeksion në Deçan.

Ndërkaq, kryetari i fshatit Irzniq, Shaqir Dacaj, u bëri thirrje organeve komunale të Deçanit që të angazhohen për asfaltimin e rrugës pranë këtyre varrezave të vjetra.

Sipas tij, asfaltimi i kësaj rruge do të ndikonte në mirëmbajtjen e varrezave, si dhe do të lehtësonte qarkullimin dhe lidhjen me fshatrat e tjera të këtij lokaliteti./rtk