Për 10 muaj regjistrohen 2 361 raste të dhunës në familje, prej tyre 171 viktima janë fëmijë
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se vajzat dhe gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me padrejtësi të ndryshme në pothuajse të gjitha aspektet e jetës, ndonëse këto të drejta u garantohen me legjislacionin në fuqi. Ajo këto komente i bëri sot takimin hapës të procesit të hartimit të Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se vajzat dhe gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me padrejtësi të ndryshme në pothuajse të gjitha aspektet e jetës, ndonëse këto të drejta u garantohen me legjislacionin në fuqi.
Ajo këto komente i bëri sot takimin hapës të procesit të hartimit të Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Haxhiu potencoi se barazia gjinore duhet të jetë prioritet në Kosovë dhe se, me fillimin e procesit të hartimit të Agjendës Parlamentare 2027–2030, duhet të merren parasysh edhe përparimet që vendi ka shënuar në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
“Sot Republika e Kosovës e ka legjislacionin e avancuar. Pra, përveç që kemi Kushtetutën, e kemi Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, kemi edhe Konventën e Stambollit, si dhe rezolutën për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Duke vënë në pah nevojën për zbatimin e këtyre dokumenteve, Haxhiu tha se roli i Kuvendit në këtë drejtim është thelbësor. Ajo bëri të ditur se procesi i hartimit të kësaj agjende nuk do të mbështetet vetëm në raportet zyrtare, por edhe në konsultime të drejtpërdrejta në terren.
“Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor do të realizojmë vizita në shtatë qendrat rajonale të Kosovës për t’u takuar me organizatat lokale dhe strehimoret për viktimat e dhunës, gratë nga zonat rurale, gratë e komuniteteve joshumicë dhe gratë me aftësi të kufizuara, e në veçanti me gratë asambliste nëpër komuna, duke pasur parasysh rolin kyç të kuvendeve komunale në adresimin e dhunës ndaj grave dhe avancimin e barazisë gjinore”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, prezantoi statistikat për dhunën në familje, viktimat e së cilës janë kryesisht vajzat dhe gratë.
Sipas saj, gjatë dhjetë muajve janë regjistruar 2 mijë e 361 raste të dhunës në familje, prej të cilave 171 viktima janë fëmijë. Po ashtu, ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar tetë vrasje të grave në Kosovë.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Fatmire Kollçaku Mulhaxha, e cila vlerësoi se kjo agjendë do të shërbejë si mekanizëm kyç për monitorimin e zbatimit të ligjeve, si dhe për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe agjencive të pavarura.
Ndërsa, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Arieta Rexhepi, tha se deputetet e Kuvendit do të jenë gjithmonë të gatshme të kontribuojnë në avancimin e barazisë gjinore dhe do të mbikëqyrin zbatimin në praktikë të ligjeve që kanë të bëjnë me dhunën.
Në takim ishin të ftuara edhe gra përfaqësuese të organizatave të ndryshme joqeveritare, të cilat paraqitën pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre lidhur me Agjendën Parlamentare 2027–2030.