Gërxhaliu: Tri hematoma në trupin e Clarës mund të jenë shkaktuar natën kritike

Tri hematoma në trupin e Maria Clarës, të cilat dyshohet se mund të jenë shkaktuar para rënies së saj nga kati i gjashtë në Fushë-Kosovë, ishin në fokus të seancës së sotme gjyqësore ndaj të akuzuarit Endrit Nika. Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka deklaruar se këto hematoma ishin të freskëta dhe mund t’i…

Lajme

20/11/2026 13:04

Tri hematoma në trupin e Maria Clarës, të cilat dyshohet se mund të jenë shkaktuar para rënies së saj nga kati i gjashtë në Fushë-Kosovë, ishin në fokus të seancës së sotme gjyqësore ndaj të akuzuarit Endrit Nika.

Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka deklaruar se këto hematoma ishin të freskëta dhe mund t’i përkasin natës kritike të vdekjes së saj, më 1 gusht 2023.

Në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit Endrit Nika, eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, deklaroi se nuk mund të konstatojë nëse e ndjera Maria Clara kishte qenë e vetëdijshme në momentin kritik.

“E vetmja dëshmi që përmendet që ajo të ketë komunikuar është dokumenti numër 1 me faqen katër, ku përmendet se e njëjta nuk i ndjen krahët. Kjo është e vetmja dëshmi që mund të them. Sa i përket gjendjes së saj, ka ekzistuar edhe një raport i SHSKUK-së. Nuk është dhënë ndonjë shpjegim më i detajuar. Nuk mund të konstatoj se e njëjta në momentin kritik a ka pasur vetëdije apo jo”, tha ai.

Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti e pyeti për hematomat e konstatuara gjatë autopsisë dhe kohën e shkaktimit të tyre.

“Kur ke bërë konstatimin e hematomave, çfarë kanë qenë dhe në çfarë kohe janë shkaktuar, a kanë qenë të gjitha nga rënia nga lartësia”, pyeti prokurori.

Eksperti tha se të gjitha lëndimet janë klasifikuar si të freskëta, por disa prej tyre mund të përjashtohen nga lëndimet e shkaktuara drejtpërdrejt nga rënia.

“Lëndimet janë klasifikuar në konkluzion, të gjithat janë të freskëta, por pika gjashtë, shtatë dhe tetë janë në regjione të përshkruara në gjurin e djathtë, në kofshën e djathtë sipërfaqja e jashtme dhe në sipërfaqe te brendshme në gjurin e majtë. E cila mund t’i eksludoj nga lëndimet tjera të përshkruara, të cilat lidhen direkt me shkarkimin e të njëjtave në momentin e rënies”, tha ai.

Lidhur me këto hematoma, avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, kërkoi sqarime për ngjyrimin e tyre dhe kohën e përafërt të krijimit.

“Pasi që deklaruat se i eksludoni lëndimet apo hematomat si në pikat 6, 7, 8 dhe i keni klasifikuar si hematoma të freskëta, a mund të na sqaroni ngjyrimin e tyre dhe implikimin e tyre kohorë të krijimit që ta kemi më të qartë kohën e përafërt të krijimit të tyre edhe nëse jo tërësisht të saktë”, pyeti ai.

Gërxhaliu tha se në përshkrim të ngjyrimit të hematomave janë klasifikuar të freskëta.

“Bazuar në përshkrimin e ngjyrimit të hematomave, i kemi klasifikuar si të freskëta dhe se ngjyra e hematomave në pikën gjashtë shtatë dhe tetë është pothuajse e njëjtë edhe me ngjyrën e lëndimeve të përshkruara në pjesën e pasme të trupit, të cilat gjithashtu janë të shoqëruara edhe me hematomë. Kur them të freskëta, mund t’i takojnë natës kritike”, tha ai.

Pala mbrojtëse e të akuzuarit, Tomë Gashi i propozoi trupit gjykues që në seancën e radhës të dëgjohen pronari i hotelit ku ka vdekur shtetasja argjentinase, Brahim Zeqiri dhe personi përgjegjës i kompanisë së kamerave.

Kryetari i Trupi gjykues, Gazmend Bahtiri ka refuzuar propozimin e mbrojtjes për dy të propozuarit, teksa bëri të ditur se xhirimet janë të fshira.

“Refuzohet pronari i hotelit. Refuzohet personi për bartjen e incizimeve ajo pjesë i takon hetimeve dhe me ato është dashur të kujdeset prokurori i shtetit brenda afateve që të sigurohen në tërësi video incizimeve. Kur janë dhëne incizimet janë njoftuar se ruajtja e tyre bëhet vetëm deri ne 10 ditë dhe pas tre muajsh ka kërkuar nga i njëjti që të sigurohen ngase nuk po hapet ajo pjesë e korridorit të hotelit dhe ka deklaruar se tani është e pamundur. Mundemi për të vajtur atë pjesë, por nuk mund ta gjejmë”, tha ai.

Po ashtu, i njëjti ka refuzuar që Endrit Nika të vizitojë vendin e ngjarjes, duke e vlerësuar se për momentin nuk është i nevojshëm.

Seanca e radhës ndaj të akuzuarit Endrit Nika do të mbahet më 2 dhjetor në ora 13:15, ku do të ftohen ekspertë dhe inxhinieri Ermal Maqedonci.

Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025. Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej. Prokuroria pretendon se ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë, si pasojë e së cilës ajo kishte pësuar lëndime që i shkaktuan vdekjen.

Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. /