Kurti: Mosfunksionimi i Kuvendit na kushtoi me mosrealizimin e gjashtë reformave të Planit të Rritjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ngecja në miratimin e pesë ligjeve të pakos për reformën në drejtësi ka krijuar përshtypje negative në Bruksel, në kuadër të vlerësimit të zbatimit të reformave të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian. Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se më 15…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ngecja në miratimin e pesë ligjeve të pakos për reformën në drejtësi ka krijuar përshtypje negative në Bruksel, në kuadër të vlerësimit të zbatimit të reformave të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se më 15 korrik, Qeveria i ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë për zbatimin e reformave dhe kërkesën përkatëse për pagesë.
Ai ka thënë se Komisioni Evropian ende nuk e ka përfunduar vlerësimin e raportit, ndonëse kishte paralajmëruar se raporti vlerësues do të publikohej në fillim të nëntorit.
Sipas Kurtit, në këtë cikël raportimi janë përfshirë 66 hapa të reformave, ndërsa 13 prej tyre kishin afat deri më 13 qershor 2026 dhe korrespondojnë me rreth 91 milionë euro fonde të BE-së.
Ai ka bërë të ditur se shtatë hapa janë zbatuar plotësisht, duke përfaqësuar 47 milionë euro, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbetur të papërmbushur brenda afatit dhe lidhen me rreth 44 milionë euro.
Kurti ka thënë se mosrealizimi i këtyre hapave ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të Kuvendit dhe mungesës së një Qeverie me mandat të plotë.
Ai ka përmendur një varg projektligjesh që nuk janë miratuar, përfshirë ato për energjinë, energjinë elektrike, inovacionin dhe ndërmarrësinë, ndihmën shtetërore, KGJK-në, KPK-në dhe Akademinë e Drejtësisë.
Megjithatë, kryeministri ka theksuar se ngecja më e madhe është evidentuar në reformën në drejtësi.
“Natyrisht që ngecja më e madhe që ka krijuar përshtypje negative në Bruksel janë pesë ligjet e pakos për reformën në drejtësi”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të punojë për zbatimin e reformave, pavarësisht nëse Kosova do t’i përfitojë apo jo fondet e parapara nga Bashkimi Evropian.
“Një zotim e kemi dhënë, nuk ka reformë evropiane që ne nuk e zbatojmë për të mirën e Republikës, edhe nëse nuk na vijnë fondet e BE-së”, ka thënë Kurti.
Në fund, ai ka theksuar se reformat nuk duhet të bëhen vetëm për përfitimin e fondeve apo për të marrë vlerësime pozitive nga Brukseli.
“Ne nuk i kryejmë reformat e BE-së për të marrë pikë në Bruksel, sepse BE-ja nuk është vetëm interes për ne, por edhe vlerë”, ka përfunduar Kurti. /Lajmi.net/