Rrahmani akuzon Qeverinë për agjendë kundër familjes me Ligjin për Fertilizimin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar Qeverinë për insistimin që Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor të trajtohet në Kuvend, duke kundërshtuar mënyrën dhe përmbajtjen e tij. Duke folur në Kuvend, Rrahmani rikujtoi se ky projektligj ishte kundërshtuar edhe gjatë mandatit të kaluar, ndërsa tha se Qeveria…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar Qeverinë për insistimin që Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor të trajtohet në Kuvend, duke kundërshtuar mënyrën dhe përmbajtjen e tij.
Duke folur në Kuvend, Rrahmani rikujtoi se ky projektligj ishte kundërshtuar edhe gjatë mandatit të kaluar, ndërsa tha se Qeveria po vazhdon ta trajtojë si prioritet dhe po e sjell sërish me nguti për miratim.
Ai kundërshtoi arsyetimin e Qeverisë se mosmiratimi i këtij ligji ua pamundëson çifteve marrjen e shërbimeve të fertilizimit në institucionet publike, duke përmendur se ky shërbim në QKUK kishte filluar të ofrohej që nga viti 2024.
“Ju e keni arsyetuar se, për shkak të moskalimit të këtij ligji, çifteve po u pamundësohet marrja e këtij shërbimi në institucionet publike, pra në QKUK. Kjo është hedhur poshtë, për shkak se në vitin 2024 ka filluar të jepet ky shërbim në institucionet publike”, deklaroi Rrahmani.
Ai tha se, sipas tij, qytetarët janë detyruar për vite të tëra t’i marrin këto shërbime në institucione private ose jashtë vendit, ndërsa përgjegjësinë për këtë vonesë ia atribuoi Qeverisë.
Rrahmani ngriti edhe shqetësime lidhur me përmbajtjen e projektligjit, duke pretenduar se ai cenon konceptin e familjes dhe raportin biologjik ndërmjet fëmijës dhe prindërve.
“Ky ligj, të cilin ju përsëri me nguti po provoni ta sillni në Kuvend, bazuar në agjendën e punës që e keni në Qeveri, parashihet të bjerë në shqyrtim në Kuvend. Ka vetëm një qëllim, agjendën kundër familjes, agjendën e ndarjes së fëmijës nga nëna e babai”, u shpreh ai.
Ai ngriti pyetjen se përse Qeveria po ngutet në trajtimin e këtij projektligji dhe cilat janë arsyet e insistimit për miratimin e tij.
“Pse është ky nxitim i juaji për të ndikuar në këtë angazhim, që t’i pengoni fëmijët ta njohin nënën dhe babanë biologjikë?”, deklaroi Rrahmani. /Lajmi.net/