Kurti -Rrahmanit: Të më quash mua se jam kundër familjes, për mua është absurde, besoj se duheni të jeni më kreativ
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Eman Rrahmani, janë përplasur në seancën e Kuvendit lidhur me Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor. Deputeti Rrahmani kritikoi Qeverinë për angazhimin që ky projektligj të miratohet, duke ngritur shqetësime lidhur me të drejtën e fëmijëve për të njohur…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Eman Rrahmani, janë përplasur në seancën e Kuvendit lidhur me Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.
Deputeti Rrahmani kritikoi Qeverinë për angazhimin që ky projektligj të miratohet, duke ngritur shqetësime lidhur me të drejtën e fëmijëve për të njohur prindërit biologjikë, si dhe dispozitat që, sipas tij, lidhen me surrogacinë dhe sterilizimin.
“Në mandatin e kaluar kemi kundërshtuar dhe penguar miratimin e projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim, megjithatë qeveria vazhdon ta trajtoj sjelljen e tij në kuvend me prioritet. Ju e keni arsyetuar se për shkak mos kalimit të këtij ligji po u pamundësohet marrja e këtij shërbimi në QKUK, që është hedhur poshtë për shkak se në vitin 2024 ka filluar të jepet ky shërbim dhe për pesë vite sa është vonuar, jeni përgjegjës që qytetarët duhet të marrin shërbime në institucione private dhe jashtë vendit. Pse është ky angazhim e ky nxitim për të ndikuar që ta njohin fëmijët prindin e tyre, nënën dhe babën biologjik”, tha ai.
Në përgjigje të tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria që ai drejton ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër e pasluftës për mbështetjen e nënave, fëmijëve dhe familjeve.
“Nuk ka asnjë qeveri që mund të thoni se në Kosovën e pasluftës ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, për familjet. Për herë të parë kjo qeveri ka filluar me mbështetje financiare për nënat lehona, 100 mijë gra kanë hapur xhirollogari për herë të parë në jetën e tyre. Mbështetjen kemi vazhduar ta rrisim. Gratë që punojnë i mbështesim edhe më shumë. Nëse ka ndonjë qeveri që ka bë të madhe për nënat është kjo qeveri. Tash të më quani mua kundër familjes, për mua është absurde. Nëse ju e synoni një kauzë politike është legjitime, por tema është e gabuar, duhet të jeni kreativ më shumë se aq sepse ka panumërt vende ku do të duhej të kritikoheshim, por jo tek familjet”, tha Kurti.
Pas kësaj përgjigjeje, Rrahmani reagoi sërish, duke thënë se kryeministri nuk iu përgjigj pyetjes së tij lidhur me përmbajtjen e projektligjit. Ai përsëriti kundërshtimet për dispozitat që, sipas pretendimeve të tij, lejojnë surrogat dhe sterilizimin në mosha të reja.
“Nuk po përgjigjeni në atë që po flas. Për ligjin për fertilizim, fëmijës i ndalohet me ditë kë e ka nënë e baba, ju lejoni surrogat, një grua e përdorni si skllave. Ju si qeverisje, lejoni sterilizimin e vajzave 18 vjeçare me vullnet të lirë. Në ligjin për fertilizim, lejoni që burrat 23 vjet lejohet sterizilimi i burrave”, tha Rrahmani.
Kryeministri Kurti i hodhi poshtë pretendimet e deputetit të PDK-së, duke e ftuar atë që të njihet me rastet konkrete dhe të bashkëbisedojë me personat që preken nga kjo çështje.
“Pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta.. Shikoni rastet konkrete dhe bashkëbisedoni me ta, ndoshta ka ardhur koha me i dhënë fund ankesave tuaja në emër të grave të Kosovës, nuk e di se a i përfaqësoni, mendja ma merr që jo”, tha Kurti.
Në debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi mënyrën se si Rrahmani po e trajtonte çështjen e grave dhe vajzave.
Haxhiu e akuzoi deputetin për manipulim dhe deklaroi se nuk do të lejojë një qasje të tillë në Kuvend, duke ia ndaluar marrjen e mëtejshme të fjalës.
“Nëse ju i trajtoni gratë edhe vajzat e vendit si pronë, si objekt, nuk lejoj qasje të tillë në Kuvendin e Kosovës. Manipulimi qe ti e bën po ashtu në Kuvend është shqetësues. Përmende faktin me sterilizimin e vajzave prej moshës 18-vjeçare. Qysh këtë qasje kështu, zoti Rahmani? Me këtë qasje nuk mund të vazhdosh. Dhe si rrjedhojë, nuk e merr fjalën”, tha Haxhiu./Lajmi.net/