Zbulohen prapaskenat, emri i Justina Shiroka-Pulës nuk ishte pjesë e diskutimit mes PDK-së dhe VV-së, deri kur e përmendi Kurti në konferencë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se emri i Justinës Shiroka-Pulës nuk ishte diskutuar në fazat fillestare të bisedimeve politike, por u përmend vetëm pasi u propozua nga kryeministri Albin Kurti. Në një intervistë në emisionin “Pressing” në T7, Rama ka sqaruar se për PDK-në çështja kryesore në diskutimet me…

Lajme

18/11/2026 22:01

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se emri i Justinës Shiroka-Pulës nuk ishte diskutuar në fazat fillestare të bisedimeve politike, por u përmend vetëm pasi u propozua nga kryeministri Albin Kurti.

Në një intervistë në emisionin “Pressing” në T7, Rama ka sqaruar se për PDK-në çështja kryesore në diskutimet me Kurtin kishte qenë ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa posti i presidentit nuk ishte pjesë e marrëveshjes fillestare, transmeton lajmi.net.

“Ju garantoj që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes sonë deri në momentin kur është propozuar Justina Shiroka-Pula. Për ne prioritet ka qenë ligji”, ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë të ditur se Kurti kishte kërkuar që në diskutime të përfshiheshin disa emra konkretë, por sipas tij, Shiroka-Pula nuk ishte ndër emrat e trajtuar deri në atë fazë.

“Kurti ka kërkuar për dy-tre emra të përveçëm, por Justina Shiroka-Pula nuk ka qenë në diskutim”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Deklaratat e Ramës sqarojnë qëndrimin e tij lidhur me diskutimet politike për çështjen e presidentit dhe përfshirjen e emrit të Shiroka-Pulës në këto zhvillime./lajmi.net/