Drejtoresha e QPS-së në Pejë pranon se në rastin e Arlinda Zekajt mungonte plani individual: Kështu kanë punuar
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar se menaxherja e rastit të Arlinda Zekajt ka pasur monitorime të vazhdueshme, ndërsa ka pranuar se në dokumentacionin e rastit nuk ka pasur plan individual, siç kërkohet me ligj. Gjatë intervistimit të saj lidhur me veprimet dhe mosveprimet…
Lajme
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar se menaxherja e rastit të Arlinda Zekajt ka pasur monitorime të vazhdueshme, ndërsa ka pranuar se në dokumentacionin e rastit nuk ka pasur plan individual, siç kërkohet me ligj.
Gjatë intervistimit të saj lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Lukaj ka thënë se zyrtarët e QPS-së kanë punuar me formularët që kanë qenë në dispozicion, ndërsa pas të gjeturave do të merren masa.
“Këta formularë, kjo formë e punës vetëm ka qenë, kanë punuar edhe zyrtarët në këto forma, do të marrim masa tash tek të gjeturat”, tha ajo.
E pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte në dijeni se në rastin konkret nuk kishte pasur plan individual, siç e kërkon ligji, Lukaj u përgjigj:
“Ashtu kanë vepruar ashtu kanë punuar”, tha ajo.
Lukaj tha se asnjëherë nuk ishte takuar drejtpërdrejt me të ndjerën.
“Asnjëherë nuk jam takuar drejtpërdrejt me të ndjerën”, tha ajo.
Ndërkaq, lidhur me ankesën e Arlinda Zekajt ndaj zyrtarëve të QPS-së, të cilën e kishte adresuar pas raportimit të dhunës në familje më 10 korrik, Lukaj tha se institucioni kishte pranuar një ankesë për trajtim të njëanshëm të rastit.
“Kemi pasur një ankesë kur ka qenë me 10 korrik, ankesë për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës. Sipas saj, ka menduar se i është bërë trajtim i njëanshëm. Ne na është drejtuar, i kemi kthyer përgjigje, e kemi pa të arsyeshme, sepse ka qenë e pabazë”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse ishte njoftuar se nuk kishte pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi përgjegjës.
“A jeni njoftuar qe nuk ka pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi që ka pasur në menaxhim”, pyeti ajo.
Lukaj tha se ka pasur monitorime të vazhdueshme.
“Nuk besoj se ka qenë kjo, menaxherja e rastit ka pasur monitorime të vazhdueshme”, tha ajo.
Kica-Xhelili ngriti edhe çështjen e trajtimit të dy përfituesve të rastit, viktimës dhe fëmijës.
“Përgjatë periudhës të trajtimit të lëndës, në kuptimin e punës janë dy përfitues viktima dhe fëmija, në krejt këtë periudhë ku qëndron fëmija, a është marrë dikush me nënën dhe nga ajo që po thoni ju se mos nuk ka konsideruar që të bëjë një rivlerësim të rrezikshmërisë”, tha Kica.
Drejtoresha tha se Arlinda Zekaj asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar.
“Po. Tek ne asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar. Ajo ka qenë në polici, e kemi monitoruat rastin, e kemi kryer procedurën që na përket neve”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së ngriti gjithashtu çështjen e formularit 003, duke thënë se në një nga rubrikat ku kërkohej të deklarohej nëse personi kishte kryer ndonjë vepër penale, nuk kishte përgjigje as me po dhe as me jo.
“Në një formular kur pyeten në qoftë se Jeton Sylaj nëse ka kryer ndonjë vepër penale ka qenë nuk ka përgjigje: as po, as jo, a keni qenë e informuar se një nga formularët kryesorë nuk kanë qenë i plotësuar nga zyrtarët”, tha ajo.
Lukaj u përgjigj shkurt se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të formularit.
“Ndoshta për shkak të formës”, tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti nëse kishte pasur ndërhyrje nga jashtë, qoftë nga institucionet, politika apo bizneset, në punën e Qendrës për Punë Sociale lidhur me këtë rast.
“A ka pasur ndërhyrje nga jashtë edhe institucioneve, ndërhyrje politike apo biznese”, tha ai.
Drejtoresha e QPS-së u përgjigj shkurt.
“Absolutisht jo”, tha lukaj.
Pas saj do të intervistohet kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.