Një varg pyetjesh të deputetëve për rastin e Arlinda Zekajt, si u përgjigj zyrtari i Qendrës për Punë Sociale?
Zyrtari i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpat Morina, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, se në rastin e të miturit, deklarata e fëmijës ishte marrë pa praninë e psikologut, duke thënë se angazhimi i tij nuk ishte në kompetencë…
Lajme
Zyrtari i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpat Morina, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, se në rastin e të miturit, deklarata e fëmijës ishte marrë pa praninë e psikologut, duke thënë se angazhimi i tij nuk ishte në kompetencë të QPS-së.
Gjatë intervistimit, Morina është pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse kishte pasur psikolog të pranishëm gjatë marrjes së deklaratës së fëmijës.
Morina tha se nuk ka pasur psikolog.
“Nuk ka pasur, ne nuk vendosim për psikolog”, tha ai.
Rrustemi pyeti gjithashtu Morinën në lidhje me raportimin e parë për dhunë në familje.
“Më 10 korrik është raportimi u parë për dhunë në familje. A keni qenë pjesë e bashkëbisedimeve, cili ka qenë përfundimi”, pyeti ai.
Morina tha se vendimtare kishte qenë dëshira e fëmijës për vendin ku dëshironte të qëndronte.
Ai shtoi se fëmija kishte qëndruar te axhallarët dhe se këtë e kishte konfirmuar edhe deklarata në Polici.
“Përfundimi ka qenë gjithmonë vullneti i fëmijës se ku dëshiron të rrijë. Jemi munduar me biseduar, ai normal që ka qëndruar atje. Kjo me vetëdëshirë e ka dërguar tek familja nga tri javë. Ne duhet t’i flasim nga A deri në Zh, atë ditë e kemi kuptuar. Ka qenë tek axhallarët. E ke edhe në deklaratë të Policisë që me veëtdëshirë ka shkuar”, tha ai.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Rexhepi, e pyeti Morinën lidhur me një ankesë të cilën e ndjera Arlinda Zekaj e kishte drejtuar ndaj tij.
“Në disa prej dokumenteve që posedojmë, kemi një email nga Departamenti i Mirëqenies Sociale ku është drejtuar një ankesë nga e ndjera Arlinda ndaj juve. Për çka bëhet fjalë” , pyeti ajo.
Morina tha se ankesa kishte të bënte me mosangazhimin e psikologut gjatë trajtimit të rastit.
“Për atë që e folëm, për psikologen që nuk e kemi thirrur dhe që nuk eshtë obligim yni. Ka kërkuar mbrojtësin e viktimave, nuk më kujtohet, nuk është kompetencë e jona”, tha ai.
Gjatë pjesës së pyetjeve që kanë të bëjnë me viktimën dhe të miturin, mbledhja e Komisionit u zhvillua me dyer të mbyllura për media.
Pas përfundimit të intervistimit të Morinës, do të raportojë drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale Shpresa Lukaj dhe kryetari i komunës se Pejës Gazmend Muhaxheri.