Mbahet Samiti Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit. Në fjalën hyrëse të samitit, ngjarje kjo që çdo vit bashkon përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve nga…
Lajme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit.
Në fjalën hyrëse të samitit, ngjarje kjo që çdo vit bashkon përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve nga Kosova dhe rajoni, me qëllim të përbashkët parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor, kryeministri Kurti tha se samiti është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për barazi, drejtësi dhe dinjitet njerëzor, por edhe për angazhim të pandërprerë.
Teksa potencoi faktin se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe e shoqërisë sonë, theksoi se kontributi i tyre, krahas së kaluarës së Kosovës, është edhe pjesë e së tashmes dhe e të ardhmes së Republikës sonë.
“Përfshirja e komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe e detyrave të shtetit, jo e privilegjit apo favorizimit që mund t’i ofrohet dikujt. Sepse të drejtat nuk dhurohen. Ato i takojnë secilit dhe ato garantohen. Mundësitë nuk duhet të rezervohen për disa. Ato duhet të krijohen dhe ruhen për të gjithë”, tha kryeministri Kurti
Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për të përkrahur komunitetet, kryeministri Kurti tha se për vitin akademik 2025-2026 janë ndarë 477 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë të përgjithshme prej 190 mijë e 800 euro, ndërsa për vitin shkollor aktual 2026-2027, janë ndarë 494 bursa për nxënësit nga këto komunitete.
“Është e pamundur të flasim për barazi të mundësive pa folur edhe për kushtet e jetesës. Një fëmijë ka nevojë për shkollë cilësore, por ka nevojë edhe për një shtëpi të sigurt ku mund të mësojë. Prandaj, banimin e konsiderojmë jo vetëm nevojë sociale, por edhe të drejtë themelore dhe parakusht për mirëqenie, siguri dhe integrim”, tha ai.