Operacioni “Heshtja”, Prokuroria: Do të kërkohet paraburgim për të arrestuarin e fundit, dyshohet për narkotik
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin policor “Heshtja”, në kuadër të të cilit janë arrestuar disa persona, përfshirë ish-ministrin e Kulturës, Astrit Haraqija. Pas arrestimit të një personi tjetër më 17 nëntor, Prokuroria ka konfirmuar për lajmi.net se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin policor “Heshtja”, në kuadër të të cilit janë arrestuar disa persona, përfshirë ish-ministrin e Kulturës, Astrit Haraqija.
Pas arrestimit të një personi tjetër më 17 nëntor, Prokuroria ka konfirmuar për lajmi.net se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, nga neni 267 lidhur me nenin 275 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për lajmi.net.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit do të kërkohet edhe caktimi i masës së paraburgimit.
“Gjithashtu, lidhur me rastin ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet tutje në përgjigje.
Kujtojmë se operacioni “Heshtja” ishte realizuar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për veprat penale që lidhen me narkotikët.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj ish-ministrit Astrit Haraqija, Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit, Albana Xhemajli-Ramadanit dhe Alban Malokut.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë veprimeve të fundit hetimore janë sekuestruar edhe tri vetura.
Hetimet lidhur me operacionin “Heshtja” po vazhdojnë./Lajmi.net/