Policia ndan mbi 2 milionë euro për ndërtimin e Stacionit Policor Veri në Prishtinë

Policia e Kosovës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për ndërtimin e Stacionit Policor Veri në Prishtinë, projekt për të cilin është paraparë një kontratë në vlerë prej mbi dy milionë eurosh. Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të përgatitur më 16 nëntor 2026, autoriteti kontraktues është Policia e Kosovës, ndërsa objekti i kontratës është ndërtimi…

Lajme

17/11/2026 18:03

Policia e Kosovës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për ndërtimin e Stacionit Policor Veri në Prishtinë, projekt për të cilin është paraparë një kontratë në vlerë prej mbi dy milionë eurosh.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të përgatitur më 16 nëntor 2026, autoriteti kontraktues është Policia e Kosovës, ndërsa objekti i kontratës është ndërtimi i Stacionit Policor Veri në Prishtinë.

Vlera e parashikuar e projektit ishte 2,113,348.93 euro, ndërsa pas përfundimit të procedurës, kontrata është dhënë në vlerë prej 2,020,202 eurosh, raporton IndeksOnline.

Procedura është zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa kriteri i përdorur për përzgjedhjen e ofertës fituese ka qenë çmimi më i ulët. Për këtë projekt kanë dorëzuar oferta gjithsej tetë operatorë ekonomikë.

Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë CONSTRUMAX SH.P.K. dhe HARST Group SH.P.K., me adresë në Bukosh të Suharekës. Sipas dokumentit, ky grup operatorësh ka paraqitur ofertën përgjegjëse me çmimin më të ulët, në vlerë prej 2,020,202 eurosh.

Kontrata është dhënë më 13 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet më 25 nëntor 2026. Projekti nuk është ndarë në pjesë dhe parashihet të realizohet si një kontratë e vetme për ndërtimin e Stacionit Policor Veri.

Njoftimi i Policisë së Kosovës tregon se procedura për këtë projekt ishte iniciuar më herët, ndërsa gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026 janë publikuar edhe disa njoftime për korrigjimin e dokumenteve të tenderit.