Deputetja Mehmeti-Selimi reagon pas vendimit në Hagë: Dënimi i Thaçit dhe të tjerëve është i padrejtë dhe i papranueshëm
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të papranueshëm. Përmes një postimi në Facebook, Mehmeti Selimi, e cila është bashkëshortja e ish-udhëheqësit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka shprehur pakënaqësinë e saj edhe ndaj…
Lajme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Mehmeti Selimi, e cila është bashkëshortja e ish-udhëheqësit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka shprehur pakënaqësinë e saj edhe ndaj vendimeve të mëparshme të Gjykatës Speciale, transmeton lajmi.net.
Ajo ka bërë një paralele mes dënimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe vendimit të fundit ndaj Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit.
“Sot ndodhi edhe një përshkallëzim tjetër i padrejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e VV-së ka vlerësuar se, njësoj si dënimet e mëparshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe shpallja fajtorë e krerëve të saj, edhe vendimi i sotëm është i padrejtë.
“Ashtu siç ishte e padrejtë edhe shpallja fajtorë e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, më 16 shtator të këtij viti, po ashtu edhe dënimi i sotëm i H. Thaçi, F. Fazliu, B. Smakaj dhe H. Kuqi është i padrejtë dhe i papranueshëm”, ka deklaruar Mehmeti Selimi.
Ajo ka theksuar se pritjet për drejtësi mbeten edhe në fazat e tjera të procedurave gjyqësore.
“Ne presim dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi edhe në fazat e tjera gjyqësore”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, Mehmeti Selimi ka përshëndetur shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e Isni Kilajt, duke i uruar atij dhe familjes së tij./lajmi.net/