“Kjo është politikë, jo drejtësi” – Reagimi i Hashim Thaçit kur gjyqtari ia shqipton dënimin prej 17 muajsh burgim
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar menjëherë pasi Gjykata Speciale në Hagë i shqiptoi dënimin prej 17 muajsh burgim në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. Gjatë seancës së mbajtur të martën, Thaçi ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues, duke e cilësuar atë si vendim politik, raporton lajmi.net. “Kjo është politikë,…
Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar menjëherë pasi Gjykata Speciale në Hagë i shqiptoi dënimin prej 17 muajsh burgim në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Gjatë seancës së mbajtur të martën, Thaçi ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues, duke e cilësuar atë si vendim politik, raporton lajmi.net.
“Kjo është politikë, jo drejtësi”, ka deklaruar Thaçi në sallën e gjyqit, pasi dëgjoi vendimin e gjykatësit.
Megjithatë, ish-presidentit nuk iu lejua të vazhdonte më gjatë deklarimin e tij gjatë seancës, pas shqiptimit të dënimit.
Reagimi i Thaçit erdhi menjëherë pas vendimit të shkallës së parë në procesin gjyqësor që lidhet me pretendimet për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë.
Në këtë rast, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu./Lajmi.net/