Pagesat nga GEN-I dhe përqindja prej 0.5% – Martin Berishaj përgjigjet për kontratat e energjisë
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është pyetur nga gazetari Lirim Mehmetaj lidhur me pagesat prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të cilat GEN-I Beograd kishte deklaruar se ia kishte bërë atij. Pyetja u ngrit në emisionin “Debat Plus”, pas raportimeve në mediat sllovene për transaksionet financiare…
Lajme
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është pyetur nga gazetari Lirim Mehmetaj lidhur me pagesat prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të cilat GEN-I Beograd kishte deklaruar se ia kishte bërë atij.
Pyetja u ngrit në emisionin “Debat Plus”, pas raportimeve në mediat sllovene për transaksionet financiare mes kompanisë GEN-I Beograd dhe bizneseve të lidhura me Berishajn.
Duke iu referuar deklaratave të kryetarit të bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, Mehmetaj e pyeti ambasadorin nëse i konfirmon këto pagesa dhe nëse ato ishin bërë me dijeninë e tij.
Berishaj u shpreh se nuk po e kuptonte pyetjen, duke reaguar ndaj mënyrës se si po i drejtohej gazetari.
“Nuk e di çka jeni duke thënë, për besë. Jeni duke thirrë nëntë e gjysmë në mbrëmje… Sinqerisht nuk jam duke ju kuptuar. Ngadalë, se ia keni çuar pak ndal kësaj pune”, tha Berishaj.
Më pas, ai kundërshtoi atë që e quajti insinuata dhe kërkoi që të merret parasysh periudha kur kishte qenë këshilltar në GEN-I.
“Pse merreni me këto insinuata? Ju duhet me pa se kur kam qenë si këshilltar në GEN-I”, deklaroi ai.
Çfarë thuhet në raportimet e mediave sllovene?
Sipas televizionit publik slloven RTVSLO, Prokuroria e Specializuar Shtetërore e Sllovenisë dhe Njësia Kombëtare e Hetimeve kishin nisur në fund të vitit 2022 hetimet për bashkëpunimin ndërmjet GEN-I Beograd dhe kompanive të lidhura me Berishajn.
Në kuadër të kësaj çështjeje, në dy kompani të Berishajt, MB Consulting, me seli në Mal të Zi dhe Kosovë, ishin transferuar më shumë se dy milionë euro nga GEN-I Beograd.
Ndërkaq, sipas raportimit të Nova24TV-së, rreth 1.8 milionë euro nga këto mjete Berishaj i kishte tërhequr në para të gatshme.
Kryetari i bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, kishte deklaruar në emisionin “Tarča” se pagesat ndaj Berishajt përbënin 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të siguruara në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.