AUV tërheq nga tregu një seri të qumështit VITA, konfirmohet prania e aflatoksinës mbi nivelin e lejuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalim të nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1. Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin e prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalim të nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin e prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi deri më 18.01.2027.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri të produktit dhe ta kthejnë atë në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
“ AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë”, thuhet në njoftim.
Analizat e kryera nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë konstatuar praninë e aflatoksinës M1 në përqendrim prej 0.065 µg/kg, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 0.050 µg/kg.
Ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, i cili kishte evidentuar tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
AUV ka sqaruar se masa e tërheqjes vlen vetëm për serinë e identifikuar dhe nuk përfshin seritë e tjera apo produktet e tjera të të njëjtit prodhues.
Sipas njoftimit, operatori është obliguar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen e produktit, ta tërheqë atë nga të gjitha pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra.
Agjencia ka rikujtuar se ky rast vjen pas konstatimeve laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku në dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, ishin evidentuar gjithashtu nivele të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar.
Ndërkohë, AUV ka bërë të ditur se do të zgjerojë kontrollet në seritë e tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të kompanisë dhe ushqimin e kafshëve.
Aflatoksina M1 është substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Sipas AUV-së, ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia ka bërë të ditur se gjatë periudhës gusht–nëntor 2026 ka realizuar kontrolle dhe analiza laboratorike të qumështit vendor dhe atij të importuar. Sipas saj, përveç rasteve dhe serive të identifikuara, mostrat e tjera të analizuara kanë qenë brenda nivelit maksimal të lejuar.
AUV ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë zinxhirin ushqimor, ndërsa masat e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj operatorit do të përcaktohen pas përfundimit të verifikimeve. /Lajmi.net/