Ndalet për 48 orë zyrtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohet se krijoi dosje fiktive për regjistrimin e një prone
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një ish-udhëheqës të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi i personit me inicialet A.B. është bërë të hënën, më 16 nëntor 2026, pas hetimeve disa mujore, në bashkëpunim…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një ish-udhëheqës të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi i personit me inicialet A.B. është bërë të hënën, më 16 nëntor 2026, pas hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
I dyshuari, sipas Prokurorisë, dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.
Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se ka synuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria dyshon se një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë, e cila ndodhet në Zonën Kadastrale në Matiçan.
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti po hetohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /Lajmi.net/