Fruthi vazhdon të përhapet në Kosovë, 336 raste të konfirmuara për shtatë muaj
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për vaksinim të fëmijëve dhe kujdes të shtuar ndaj përhapjes së sëmundjes. Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 15 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 336 raste me fruth, prej…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për vaksinim të fëmijëve dhe kujdes të shtuar ndaj përhapjes së sëmundjes.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 15 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 336 raste me fruth, prej të cilave 37 vetëm gjatë javës së fundit.
Rastet janë regjistruar në 24 komuna të Kosovës, ndërsa pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.
IKShPK ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti ka rikujtuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimi plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara. Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 120 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të kontaktojnë ekipet shëndetësore në rast se kanë humbur ndonjë dozë.
Po ashtu, për shkak të rritjes së rasteve, është rekomanduar kujdes i shtuar për fëmijët nën moshën 12 muajshe, të cilët ende nuk janë vaksinuar me MMR, duke shmangur sa më shumë ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
IKShPK ka theksuar se vaksinimi në kohë mbetet masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: