“Ikonike, të ruhet gjelbërimi”, qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë

Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës. Për të, u mor një vendim më 6 nëntor 2026 në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në këtë mbledhje, u vendos që në këtë zonë të kryeqytetit të ndërtohet një objekt i ri për akomodimin e sportistëve dhe stafit përcjellës gjatë Lojërave Mesdhetare 2030 dhe një…

Lajme

15/11/2026 14:07

Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës.

Për të, u mor një vendim më 6 nëntor 2026 në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në këtë mbledhje, u vendos që në këtë zonë të kryeqytetit të ndërtohet një objekt i ri për akomodimin e sportistëve dhe stafit përcjellës gjatë Lojërave Mesdhetare 2030 dhe një parking nëntokësot në zonën e Fontanës.

Ky është shndërruar tashmë në debat publik, ku po kundërshtohet fillimisht nga banorët e më pas edhe nga opozita.

Ndërtimi i këtyre objekteve po frikëson qytetarët se do të zhduken hapësirat e gjelbra që gjenden në ato hapësira.

Hajrie Hyseni, banore e Ulpianës tha se nuk duhet të bëhen këto ndërtime dhe se është e nevojshme të ketë gjelbrim, duke kritikuar qeverisjen e Ramës.

“
E vlerësoj si të dëmshme se duhet të jetë gjelbrimi për të gjithë, për ne, për fëmijët me pasë gjelbrim kah Fontana…Si qytetare që jetoj këtu nuk e kisha bërë këtë…Përparim Ramën nuk e di pse e kanë votuar se nuk është duke bërë asgjë. Na mbyti bërlloku, na mbyten senet, ai nuk është duke punuar”, tha Hyseni.

Edhe Ismet Muhaxheri mendon se hapësirat e gjelbra duhet të ruhen.

“Duhet me u ruajtë gjelbrimi…Nuk është në rregull me u prish, nuk duhet me u prish”, tha Muhaxheri.

Ndërkohë Hedije Kastrati vlerëson se kjo duhet të bëhet më larg qendrës së qytetit.

“Ai projekt duhet të bëhet pak si jashtë qendrës, jo këtu në qendër. Këtu është mirë kjo fontanë, është mirë për qytetarët me u relaksu ngapak”, tha Kastrati.

Qasje kritikuese kundrejt kësaj kanë edhe nga Kryesia e Qendrës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Flutura Jusufi nga kjo kryesi për KosovaPress tha se ky është një projekt i dëmshëm për të gjithë banorët e Prishtinës.

“Patjetër që një projekt të tillë e konsiderojmë si të dëmshëm për banorët e lagjes Ulpiana, por edhe për banorët e kryeqytetit. Si Lëvizje Vetëvendosje, asnjëherë nuk kemi qenë kundër zhvillimit të kryeqytetit, por çdo herë jemi kundër projekteve të dëmshme për të. Ashtu siç e keni parë, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të mbajtur më 6 nëntor, asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër këtij projekti ngase e konsideruam se një projekt i tillë është i dëmshëm për banorët e kryeqytetit”, tha Jusufi.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, Bekim Ramku për KosovaPress tha se projekti nuk do të cenojë fontanën.

Më pas tregoi së aty planifikohet të ndërtohet një parkind nëntokësor për 750-800 vetura.

“Caktimi i lokacionit është bërë për një parking nëntokesor me kapacitet 750-800 vetura apo edhe më shumë nën fontanë, pa e cenuar fontanën dhe rrethin”, tha Ramku.

Drejtori tha se qytetarët nuk e kanë ende të qartë se çfarë do të ndërtohet dhe se për këtë “fajëson” vetë Komunën.

Në anën tjetër, ai potencon se nëse qytetarët nuk duan të ndërtohet, projekti s’do të zhvillohet.

“Fatkeqësisht, qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë do të realizohet aty. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë Komunën, e cila nuk e ka komunikuar mjaftueshëm qartë projektin e propozuar. Komunës i mbetet t’ua shpjegojë banorëve se si është konceptuar ndërhyrja, ndërsa vendimi, gjithsesi, duhet të merret në bashkëpunim me ta, pasi ndërhyrja do të bëhej në interes të banorëve. Nëse banorët mendojnë se nuk ka nevojë për një ndërhyrje të tillë, atëherë, natyrisht, ajo nuk do të realizohet”, tha Ramku.

Deri tani, ka pasur vetëm kritika dhe kundërshtime për këtë projekt.