Osmani del në mbrojtje të Rugovës: Historia e tij nuk mund të rishkruhet përmes shpifjeve
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në mbrojtje të figurës së ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si Atin themeltar të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se kontributi i Rugovës në shtetndërtimin e Kosovës nuk mund të kufizohet vetëm në vitet e para të rezistencës politike, pasi…
Lajme
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në mbrojtje të figurës së ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si Atin themeltar të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se kontributi i Rugovës në shtetndërtimin e Kosovës nuk mund të kufizohet vetëm në vitet e para të rezistencës politike, pasi roli i tij, sipas saj, ishte i rëndësishëm deri në fund të jetës.
Ajo ka kritikuar pretendimet që, sipas saj, synojnë të minimizojnë kontributin historik të Rugovës.
“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë”, ka shkruar Osmani.
Ish-presidentja ka përmendur edhe takimet e saj me liderë ndërkombëtarë gjatë pesë viteve në krye të shtetit, duke thënë se në këto takime është vlerësuar vazhdimisht kontributi i Rugovës në ndërtimin e Kosovës dhe krijimin e aleancave ndërkombëtare.
Sipas Osmanit, Rugova luajti rol kyç në organizimin e institucioneve paralele, ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përfaqësimin institucional pas përfundimit të luftës.
Ajo ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për lidhje të Rugovës me regjimin e Slobodan Millosheviqit, duke i cilësuar ato si shpifje.
Në reagimin e saj, Osmani ka përmendur edhe dëshminë e Rugovës në Tribunalin e Hagës, duke theksuar se qëndrimi dhe kontributi i tij janë pjesë e historisë së dokumentuar të Kosovës.
Në fund, ajo ka thënë se asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë vendin që Rugova zë në historinë dhe kujtesën e popullit të Kosovës. /Lajmi.net/