Operacioni “Heshtja” godet grupin e kokainës në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona dhe sekuestrohen asete mbi 300 mijë euro

Një grup i organizuar i dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës është goditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës, në kuadër të operacionit të koduar “Heshtja”. Operacioni është realizuar më 14 nëntor, pas një hetimi të gjatë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona…

Lajme

15/11/2026 12:40

Një grup i organizuar i dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës është goditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës, në kuadër të operacionit të koduar “Heshtja”.

Operacioni është realizuar më 14 nëntor, pas një hetimi të gjatë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të marihuanës, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe substanca të tjera.

Ajo që bie në sy është vlera e pasurisë së sekuestruar. Policia ka konfiskuar gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Porsche dhe Mercedes GLE, para të gatshme në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, ora luksoze Rolex e Franck Muller, stoli të çmuara, armë dhe pajisje të tjera.

Sipas vlerësimit të Policisë, vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro, ndërsa vetëm kokaina vlerësohet në rreth 111 mijë euro.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë. Hetimet për rastin po vazhdojnë. /Lajmi.net/