Protesta në Tiranë, arrestohen 3 persona dhe procedohen 18 të tjerë për veprime të kundërligjshme
Policia ka arrestuar tre persona dhe ka proceduar penalisht 18 të tjerë për veprime të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje në Tiranë. Sipas policisë, njëkohësisht janë vendosur 44 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, prej të cilave dy në vlerën 500 mijë lekë secila, ndërsa në vijim të veprimeve hetimore dhe…
Lajme
Policia ka arrestuar tre persona dhe ka proceduar penalisht 18 të tjerë për veprime të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje në Tiranë.
Sipas policisë, njëkohësisht janë vendosur 44 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, prej të cilave dy në vlerën 500 mijë lekë secila, ndërsa në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë dokumentuar akte dhune dhe veprime të paligjshme.
Të arrestuarit janë E.K., 33 vjeç, i dyshuar për dëmtimin e trafikndarësve dhe thyerjen e stendave të reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”; I.R., 23 vjeç, i cili gjatë shoqërimit në komisariat ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës; Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, shkrua rtsh, përcjell KosovaPress.
Përveç tyre, 18 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit. Dy prej tyre janë në vlerën 500 000 lekë.
Ndërkaq, specialistët e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.