Prokuroria nis hetimet për vdekjen e pacientes në Klinë: Do të intervistohet personeli shëndetësor i përfshirë në rast
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet për vdekjen e pacientes, e cila ndërroi jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë trajtimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë. Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për lajmi.net se prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet për vdekjen e pacientes, e cila ndërroi jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë trajtimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për lajmi.net se prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e dokumentacionit mjekësor dhe intervistimin e personelit shëndetësor që ishte i përfshirë në trajtimin e pacientes.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes dhe ndërmarrjes së mëtejshme të veprimeve ligjore”, ka deklaruar Nikçi.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe QKMF-ja “Nënë Tereza” në Klinë, e cila ka publikuar një komunikatë zyrtare, ku ka paraqitur rrjedhën e trajtimit mjekësor të pacientes.
Sipas sqarimit të këtij institucioni, pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.
Megjithatë, menjëherë pas fillimit të marrjes së terapisë, ajo kishte shfaqur reaksion alergjik dhe ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së.
Aty, sipas komunikatës, mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, kishin ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ishte vendosur transferimi i saj drejt Spitalit Rajonal në Pejë, me autoambulancë dhe nën shoqërimin e një mjeku dhe një infermieri.
QKMF-ja ka bërë të ditur se për përshpejtimin e transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e QKMF-së.
Ky reagim vjen pas raportimeve se autoambulanca që transportonte pacienten nuk kishte sirenë dhe drita emergjente, për çka ishte kërkuar asistenca e Policisë së Kosovës për përcjelljen e saj drejt spitalit.
Megjithatë, në komunikatën zyrtare, QKMF-ja nuk ka dhënë sqarime lidhur me mungesën e pajisjeve të sinjalizimit emergjent në autoambulancë.
Institucioni ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes dhe ka bërë të ditur se rasti është nën hetim nga organet kompetente.
“QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t’u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar”, thuhet në njoftim.
Në fund, QKMF-ja ka bërë të ditur se, duke respektuar ndjeshmërinë e rastit dhe privatësinë e familjes, nuk do të japë komente të tjera gjatë zhvillimit të hetimeve.
Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet përmes autopsisë, ndërsa hetimet e Prokurorisë do të sqarojnë rrethanat e plota të rastit./lajmi.net/