Qëlloi me kallashnikov vëllain dhe kushëririn në Gjakovë, Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi me inicialet S.L., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas komunikatës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 16:30,…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi me inicialet S.L., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 16:30, në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore.
I dyshuari, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta vëllain e tij, H.L., si dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt P.L., duke shtënë katër herë me armë zjarri të tipit AK-47.
“Si pasojë e të shtënave, të dy të dëmtuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Po ashtu, gjatë hetimeve është konstatuar dyshimi se S.L. ka poseduar pa autorizim një armë automatike të tipit AK-47, një pushkë gjuetie, dhjetë fishekë të kalibrit 12 GA dhe një fishek të kalibrit 7.62 mm.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I dyshuari ngarkohet me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Lajmi.net/