U kthye në Kuvend për t’u ndryshuar, PDK-VV merren vesh për Ligjin për Specialen ta procedojnë në Kuvend pa ndryshime
Pas disa javësh paqartësish dhe mospajtimesh politike, është arritur dakordim ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për procedimin e mëtejmë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion se pas negociatave me…
Lajme
Pas disa javësh paqartësish dhe mospajtimesh politike, është arritur dakordim ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për procedimin e mëtejmë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion se pas negociatave me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, palët janë pajtuar që ligji të procedohet për miratim në Kuvend, në formën aktuale, pa ndryshime në këtë fazë.
Deliu-Kodra ka sqaruar se, ndonëse PDK-ja kishte insistuar që ligji të amendamentohej gjatë kësaj faze të rishqyrtimit, me VV-në nuk është arritur marrëveshje për ndryshime konkrete. Sipas saj, shumica parlamentare ka interpretuar ndryshe Rregulloren e Kuvendit, duke vlerësuar se në këtë fazë nuk lejohet amendamentimi i ligjit.
Për këtë arsye, është vendosur që ligji të procedohet në Kuvend ashtu siç ishte miratuar më parë, ndërsa çdo ndryshim i mundshëm të trajtohet përmes një procesi të ri të amendamentimit.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ishte iniciuar nga deputetët e PDK-së dhe ishte miratuar në Kuvend më 6 tetor 2026, në shqyrtimin e dytë, me 88 vota për. Pas miratimit, ligji i ishte dërguar presidentes së vendit për shpallje.
Megjithatë, më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula vendosi ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas një kërkese zyrtare të vetë Grupit Parlamentar të PDK-së, si sponsorizues të kësaj nisme.
Kthimi i ligjit në Kuvend erdhi në kuadër të procedurës kushtetuese të rishqyrtimit, ndërsa në qendër të diskutimeve ishin dispozitat që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe përputhshmëria e ndryshimeve të propozuara me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi më 6 tetor synonin kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, përfshirë periudhën kohore dhe territorin në të cilin ajo ushtron kompetencat e saj. Po ashtu, projektligji parasheh ndryshime lidhur me transferimin e rasteve që nuk përfshihen në juridiksionin e saj, kufizimin e dënimeve dhe mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar.
Këto propozime kanë nxitur diskutime dhe reagime, veçanërisht lidhur me ndikimin e tyre në funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe detyrimet që Kosova ka marrë përsipër në raport me këtë institucion.
Pas kthimit nga presidentja, ligji duhej të trajtohej sërish nga Kuvendi. Në këtë fazë, PDK-ja dhe VV-ja kanë pasur interpretime të ndryshme lidhur me mundësinë e amendamentimit të tij. PDK-ja ka konsideruar se ndryshimet mund të bëheshin gjatë rishqyrtimit, ndërsa përfaqësuesit e shumicës parlamentare kanë vlerësuar se Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon një gjë të tillë në këtë fazë të procedurës.
Kësisoj, pas negociatave politike, palët janë pajtuar që fillimisht të procedohet versioni aktual i ligjit, ndërsa ndryshimet e mundshme të trajtohen përmes një procesi të ri ligjvënës.
Sipas Deliu-Kodrës, në Kuvend do të rivotohet versioni i njëjtë i ligjit që ishte miratuar më 6 tetor, ndërsa për miratimin e tij dhe tejkalimin e vetos së presidentes nevojiten së paku 61 vota.
Deputetja e PDK-së u ka bërë thirrje anëtarëve të Komisionit për Legjislacion që ta mbështesin procedimin e mëtejmë të ligjit, duke theksuar se dakordimi i arritur me shumicën parlamentare mundëson që çështja të kalojë në seancë plenare.
Tashmë mbetet të shihet nëse ligji do t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në Kuvend dhe nëse pas miratimit do të nisë një proces i ri për amendamentimin e tij, ashtu siç ka paralajmëruar PDK-ja. /Lajmi.net/