Mustafa propozon koalicion PDK-VV: Të bashkëpunojmë për interesat e Kosovës, ky është koalicion për shtet
Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa sot në foltoren e Kuvendit, ka kujtuar zgjedhjet e njëpasnjëshme që janë mbajtur gjatë vitit të fundit në Kosovë. Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe Kosova është përballur me sfida të cilat vazhdojnë ende. “Kosova gjatë 3 viteve të fundit është përballur me sfida serioze, politike, institucionale dhe ndërkombëtare.…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa sot në foltoren e Kuvendit, ka kujtuar zgjedhjet e njëpasnjëshme që janë mbajtur gjatë vitit të fundit në Kosovë.
Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe Kosova është përballur me sfida të cilat vazhdojnë ende.
“Kosova gjatë 3 viteve të fundit është përballur me sfida serioze, politike, institucionale dhe ndërkombëtare. Tri palë zgjedhje brenda 16 muajsh, bllokada institucionale dhe përplasje të vazhdueshme politike kanë marrë kohë dhe energji që duhej të ia kushtonim zhvillimit të vendit. Sot institucionet janë funksionale por sfidat nuk kanë përfunduar. Integrimi evropian, marrëdhëniet me aleatët tanë, siguria, dialogu me Serbinë dhe zhvillimi ekonomik kërkojnë përgjegjësi dhe vendimmarrje”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se duhet të pyesim se a duhet që dallimet partiake t’i pengojnë të bashkëpunojnë për Interesa të Republikës së Kosovës.
“16 shtatori ishte moment i rëndë për Kosovën, aktgjykimi ndaj vlerave të UÇK-së na vendosi përballë një sfide të madhe juridike, historike dhe politike. Si luftëtar i UÇK-së besoj se kjo çështje kërkon unitet, mbështetje juridike dhe angazhim diplomatik dhe politik. Por uniteti nuk përfundon me këtë çështje”, ka thënë Mustafa.
Ai ka propozuar koalicion mes PDK-së dhe VV-së.
“Atë e kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka kundërshtime të shumta, disa thonë se koalicioni i tillë do t’i zgjas jetën p;olitike Albin Kurtit dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhjet. Ju kujtoj zgjedhjet tri herë rresht një pas një i mbajtëm, megjithatë e respektoj këtë mendim por unë mendoj se konkurenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra tjetrën. Bashkëpunimi nuk nënkupton amnisti politike, nuk nënkupton harrimin e gabimeve, heqjen dorë nga kritika apo mungesë të llogaridhënies. Një marrëveshje duhet të ketë objektiva të qarta, përgjegjësi dhe rezultate të matshme. Nuk kërkoj që partitë të heqin dorë nga identiteti i tyre, kërkoj që të diskutojmë nëse ekzistojnë interesa madhore që mund të marrim përgjegjësi sëbashku”, ka shtuar Mustafa. /Lajmi.net/