Qeveria s’e ka ndërmend ta largoj akcizën as të vendos çmimin tavan, furnizimi me naftë edhe sot me çmime “astronomike”

Rënia e çmimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka nisur të reflektohet edhe në Kosovë, por çmimi i naftës në pompat vendore vazhdon të mbetet relativisht i lartë. Aktualisht, një litër naftë po shitet rreth 1.78 euro, pavarësisht tendencës rënëse në tregjet globale. Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë…

Lajme

12/11/2026 14:24

Rënia e çmimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka nisur të reflektohet edhe në Kosovë, por çmimi i naftës në pompat vendore vazhdon të mbetet relativisht i lartë. Aktualisht, një litër naftë po shitet rreth 1.78 euro, pavarësisht tendencës rënëse në tregjet globale.

Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut të derivateve përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), me qëllim që ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektohet edhe te konsumatorët në Kosovë.

Sipas MINTI-t, gjatë dy ditëve të fundit janë shtuar aktivitetet inspektuese, ndërsa ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës për të marrë të dhëna ditore lidhur me çmimet e importit të derivateve.

Ministria ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e pranuara nga Dogana, çmimi mesatar i naftës ka rënë gjatë 24 orëve nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa benzina ka arritur çmimin mesatar prej 1.43 euro për litër.

Megjithatë, në tregun vendor nafta vazhdon të shitet rreth 1.78 euro për litër, çmim ky që vjen në një kohë kur në tregjet ndërkombëtare është shënuar rënie e çmimeve të naftës.

MINTI ka bërë të ditur se analizën e çmimeve e bazon në tri referenca kryesore: çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin mesatar të furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.

Sipas ministrisë, këto të dhëna përdoren për të vlerësuar nëse ndryshimet në tregjet ndërkombëtare po reflektohen në mënyrë të drejtë edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në Kosovë.

Në përgjigjen për lajmi.net, MINTI ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e çdo devijimi të pajustifikuar të çmimeve në raport me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.

“Inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë edhe te konsumatorët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Rënia e çmimeve në tregjet globale ka rritur pritjet që edhe në Kosovë të ketë ulje të mëtejme të derivateve. Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo tendencë do të reflektohet në ditët në vijim me zbritje më të dukshme në pompat e derivateve, apo nëse çmimet do të vazhdojnë të mbeten afër nivelit aktual.

Ndryshe përgjatë muajve të kaluar e në vazhdimësi është kërkuar që në Kosovë të hiqe akciza e vendosur për naftë, në mënyrë që qytetarët ta kenë çmimin sado pak më të ulët në blerje.

Më saktësisht përfaqësuesit e bizneseve, përfshirë Odën Ekonomike të Kosovës, por edhe disa deputetë të vendit kanë kërkuar ndërhyrje fiskale përmes heqjes së akcizës ose uljes së TVSH-së. Sipas vlerësimeve të komunitetit të biznesit, largimi i plotë i akcizës do ta ulte çmimin e një litri naftë me mbi 40 centë (duke përfshirë edhe efektin zinxhir në TVSH).

Më të zëshëm në këtë pikë ishin nga Aleanca, të cilët patën kërkuar zyrtarisht pezullimin e përkohshëm të akcizës dhe përgjysmimin e TVSH-së për derivatet. Ata argumentojnë se vendet e rajonit kanë ndërhyrë me masa të ngjashme për të mbrojtur konsumatorët.

Por në vazhdimësi, pavarësisht kërkesave zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesit e qeverisë e kanë kundërshtuar këtë kërkesë. Ata vlerësojnë se heqja e akcizës do të krijonte një boshllëk të madh në buxhetin e shtetit dhe do të rrezikonte financimin e skemave sociale. Sipas qeverisë, ulja ose heqja e taksave nuk garanton që çmimi do të bjerë realisht në pikat e shitjes me pakicë, duke argumentuar se nga kjo masë mund të përfitojnë më shumë operatorët tregtarë sesa konsumatorët fundorë. Në vend të ndryshimeve fiskale, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka përdorur herë pas here mekanizmin e kufizimit të marzhës tregtare (2 centë për shumicën dhe 12 centë për pakicën) dhe inspektimet në treg.

Aktualisht në tregun tonë akciza fikse paguhet 36 centë për çdo litër naftë të importuar, kurse TVSH-ja aplikohet me normë standarde prej 18% mbi çmimin e importit të kombinuar me akcizën, çka në total taksa shkon në 63 cent për litër.

Kësisoj përpos çmimeve të tjera tejet të larta, në Kosovë probleme të mëdha po shkakton edhe çmimi ekstrem i derivateve./Lajmi.net/