Kurti për “Le Monde”: Agresioni rus po e ndryshon botën, Kosova kërkon mbështetje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se agresioni rus ndaj Ukrainës dëshmon se historia po rikthehet me forcë në skenën botërore, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e Francës për projektet infrastrukturore dhe energjetike të Kosovës. Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, Kurti ka folur për sigurinë, integrimin evropian dhe marrëdhëniet me Serbinë, gjatë…

Lajme

12/11/2026 14:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se agresioni rus ndaj Ukrainës dëshmon se historia po rikthehet me forcë në skenën botërore, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e Francës për projektet infrastrukturore dhe energjetike të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, Kurti ka folur për sigurinë, integrimin evropian dhe marrëdhëniet me Serbinë, gjatë vizitës së tij në Paris.

“Agresioni rus kundër Ukrainës tregon se historia po rikthehet në skenën botërore me më shumë forcë se kurrë më parë në këtë shekull”, ka deklaruar Kurti në fillim të intervistës së realizuar më 10 nëntor.

Gazeta franceze shkruan se Kosova ndihet e cenueshme përballë ndryshimeve në situatën ndërkombëtare, ndërsa e përshkruan kryeministrin kosovar si të qetë gjatë bashkëbisedimit, shkruan KosovaPress.

Kurti ka qëndruar për një vizitë 3-ditore në Paris, ku ka marrë pjesë në Forumin e 9-të të Paqes dhe ka pasur në agjendë 2 takime me presidentin francez Emmanuel Macron.

Sipas “Le Monde”, takimi i parë ishte paraparë të zhvillohej ndërmjet 2 liderëve në Pallatin Élysée, ndërsa i dyti me pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Francës.

Gazeta raporton se Qeveria e Kosovës po kërkon mbështetjen e Parisit për disa çështje, përfshirë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë.

Në këtë kuadër, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), për projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve.

“Le Monde” shkruan se Kurti, i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, ndonjëherë përshkruhet si nacionalist e herë të tjera si sovranist, por se synimi i tij kryesor duket të jetë afrimi i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Në artikull trajtohen edhe marrëdhëniet me Serbinë, e cila vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Gazeta franceze thekson se shkalla e autonomisë që Qeveria Kurti u ka dhënë serbëve të Kosovës, të cilët sipas artikullit përbëjnë 6% të popullsisë, mbetet një nga çështjet kryesore të mospajtimeve me Beogradin.