Publikohet raporti i Avokatit të Popullit lidhur me cilësinë e ajrit në Kosovë- situatë alarmante
Avokati i Popullit ka publikuar raportin lidhur me cilësinë e ajrit në Republikën e Kosovës nga perspektiva e të drejtave të njeriut, të cilin ia ka adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Raporti është hartuar në kuadër të hetimeve të iniciuara me vetiniciativë, mbi bazën e raportimeve institucionale dhe mediale…
Lajme
Avokati i Popullit ka publikuar raportin lidhur me cilësinë e ajrit në Republikën e Kosovës nga perspektiva e të drejtave të njeriut, të cilin ia ka adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Ndërkaq, IKSHPK-ja ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Raporti trajton gjithashtu sfidat në zbatimin e legjislacionit, mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, nevojën për forcimin e monitorimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe rëndësinë e miratimit të politikave dhe masave të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes.
Duke u mbështetur në standardet e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut nga pasojat e ndotjes mjedisore kërkon përmbushjen e detyrimeve pozitive të shtetit për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive, veçanërisht kur autoritetet janë në dijeni për rreziqet që ndotja paraqet për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Avokati i Popullit u ka adresuar institucioneve përgjegjëse rekomandime që synojnë forcimin e mekanizmave institucional, zbatimin efektiv të legjislacionit, avancimin e politikave publike dhe marrjen e masave të koordinuara e të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes së ajrit, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e gëzimit efektiv të të drejtave të njeriut në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.
Raporti i plotë -> https://bit.ly/4iyLiyH