KEK-u blen agregat për vete në vlerë prej 26 mijë e 550 eurosh për t’u përballur me reduktimet e rrymës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë, ka vendosur të shpenzojë mbi 26 mijë euro për një gjenerator për ndërtesën e vet në Toskanë në Prishtinë. Derisa vendi po përballet me probleme të vazhdueshme në sektorin e energjisë, duket se edhe vetë KEK-u ka nevojë të sigurohet që të…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë, ka vendosur të shpenzojë mbi 26 mijë euro për një gjenerator për ndërtesën e vet në Toskanë në Prishtinë.
Derisa vendi po përballet me probleme të vazhdueshme në sektorin e energjisë, duket se edhe vetë KEK-u ka nevojë të sigurohet që të mos mbetet pa rrymë.
Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, KEK-u më 28 gusht 2026 ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 26 mijë e 550 eurosh për furnizimin dhe montimin e një gjeneratori për nevojat e ndërtesës Toskane në Prishtinë.
Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Eor Group SH.P.K.”, ndërsa për këtë blerje KEK-u fillimisht kishte planifikuar të shpenzonte deri në 40 mijë euro.
Në tender kishin marrë pjesë shtatë kompani, prej të cilave gjashtë ishin vlerësuar se i plotësonin kushtet. Oferta më e ulët ishte 26 mijë e 550 euro, ndërsa më e larta nga ofertat e pranueshme ishte 34 mijë e 987 euro.
Afati për realizimin e kontratës ishte paraparë të jetë 60 ditë.
Kjo kontratë vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me probleme në prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa shpenzimet për importin e rrymës po arrijnë shifra milionëshe.
Vetëm gjatë shtatë ditëve, nga 28 tetori deri më 3 nëntor 2026, sipas të dhënave të fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 14.9 milionë euro për importin e energjisë elektrike, apo mesatarisht mbi 2 milionë euro në ditë.
Këto shpenzime lidhen me nevojën për të siguruar energji nga jashtë në kohën kur prodhimi vendor nuk po arrin kurrsesi t’i mbulojë të gjitha nevojat.