Një muaj paraburgim për pesë të arrestuarit në aksionin “Rikthimi”, ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Rikthimi”, ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Vendimi është marrë të enjten, më 5 nëntor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së…

Lajme

05/11/2026 16:25

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Rikthimi”, ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.

Vendimi është marrë të enjten, më 5 nëntor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore në Pallatin e Drejtësisë, transmeton lajmi.net.

Sipas komunikatës së Gjykatës, pesë të pandehurit, me inicialet I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S., dyshohen për veprën penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata ka bërë të ditur se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit është aprovuar për të gjithë të dyshuarit.

Arsyetimi i gjykatës për caktimin e kësaj mase lidhet me rrezikun që të pandehurit, nëse do të liheshin në liri, mund të pengonin zhvillimin e procedurës penale, të ndikonin në prova dhe dëshmitarë, si dhe t’i shmangeshin drejtësisë.

Në komunikatë thuhet se disa prej të pandehurve janë shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka sipas gjykatës përbën rrezik konkret që ata të largohen nga vendi për t’iu shmangur ndjekjes penale.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston mundësia që të dyshuarit të përsërisin veprat e njëjta penale ose të kryejnë vepra të tjera.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Operacioni “Rikthimi” u realizua më 3 nëntor në rajonet e Ferizajt dhe Prishtinës, nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në mbështetje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Gjatë aksionit u arrestuan pesë persona, ndërsa u sekuestruan 37 kilogramë e 332 gramë substancë e dyshuar narkotike, e ndarë në 62 paketime.

Vlera e saj në treg është vlerësuar në rreth 550 mijë euro.

Sipas dyshimeve të hetuesve, ngarkesa kishte origjinën nga Irani dhe ishte sjellë në Kosovë e fshehur mes mallrave komerciale.

Të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Njoftimi i plotë: 

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S.
Prishtinë, 5 Nëntor 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S., për shkak të veprës penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 par. 1 dhe 2, lidhur me veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, për secilin.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë. Ky vlerësim mbështetet në faktin se disa prej të pandehurve janë shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë Veriore, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit, me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të arratisen.
Po ashtu Gjykata vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë dhe të përsërisin veprat e njëjta apo të kryejnë vepra tjera penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./lajmi.net/