Policia anulon tenderin për karriget e ceremonisë së diplomimit të 412 kadetëve, një ditë para organizimit
Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për marrjen me qira të karrigeve statike, të cilat ishin paraparë për ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë. Sipas dokumentit të prokurimit, vendimi për anulimin e këtij aktiviteti është marrë më 4 nëntor 2026. Në garën për këtë tender kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.…
Lajme
Policia e Kosovës ka anuluar tenderin për marrjen me qira të karrigeve statike, të cilat ishin paraparë për ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.
Sipas dokumentit të prokurimit, vendimi për anulimin e këtij aktiviteti është marrë më 4 nëntor 2026. Në garën për këtë tender kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.
Në njoftimin për anulim, Policia i është referuar një dispozite të Ligjit për Prokurimin Publik, pa dhënë sqarime konkrete se çfarë e ka nxitur marrjen e këtij vendimi.
Kjo vjen në kohën kur ceremonia e diplomimit të 412 kadetëve policorë është planifikuar të mbahet të premten, më 6 nëntor, në orën 16:30.
Megjithatë, organizimi i ceremonisë është përcjellë me disa vështirësi. Fillimisht, ajo ishte paraparë të mbahej më 30 tetor, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për kadetët.
Ndërkaq, gjatë kësaj jave u raportua edhe për mungesë të kapelave, për çka zyrtarëve policorë u ishte kërkuar që t’ua huazonin kapelat e tyre kadetëve për ceremoninë.
Tashmë, anulimi i tenderit për karriget është një tjetër zhvillim që lidhet me përgatitjet për ceremoninë, e cila pritet të mbahet nesër. /Lajmi.net/