Rizvanolli formon task-forcë për sezonin dimëror, alarm për rritjen e çmimeve të energjisë

Ministria e Ekonomisë ka themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, e cila do të ketë për detyrë të mbikëqyrë furnizimin me energji elektrike dhe të koordinojë masat për përballimin e sfidave të mundshme gjatë muajve të ftohtë. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes së…

Lajme

05/11/2026 14:19

Ministria e Ekonomisë ka themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, e cila do të ketë për detyrë të mbikëqyrë furnizimin me energji elektrike dhe të koordinojë masat për përballimin e sfidave të mundshme gjatë muajve të ftohtë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, e cila kërkoi informata për përgatitjet dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend gjatë dimrit, transmeton lajmi.net.

Sipas Rizvanollit, task-forca do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ajo ka bërë të ditur se ky mekanizëm do të monitorojë vazhdimisht situatën energjetike, do të përditësojë bilancin dimëror dhe do të hartojë një plan konkret veprimi.

“Duke marrë parasysh këto rrethana, dhe kufizimet e prodhimit vendor, unë kam themeluar task forcën ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026-2027, e cila udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë, me pjesëmarrje gjithashtu të ZRRE-së, KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Task forca ka mandat të monitorojë furnizimin, të koordinojë përditësimin e bilancit dimëror dhe të përgatisë planin e veprimit me masa, përgjegjësi dhe afate konkrete. Raportimi në ministri është javor dhe, ose i menjëhershëm kur identifikohet rrezik për furnizim”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja ka folur edhe për zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke paralajmëruar se rritja e kërkesës dhe zhvillimet gjeopolitike kanë ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ajo ka përmendur veçanërisht ndikimin e luftës në Iran dhe rritjen e çmimeve në tregjet evropiane, përfshirë ato që kanë ndikim në rajonin tonë.

“Në nivel botëror, rritja e kërkesës për energji elektrike dhe pasojat e luftës në Iran kanë shtuar presionin mbi sistemet energjetike dhe kostot e furnizimit. Në tregjet relevante për rajonin tonë, rritjet janë edhe më të theksuara. Në shtator 2026, krahasuar me shtatorin e vitit 2025, çmimi mesatar në tregun e ditës përpara ishte rreth 75 për qind më i lartë në bursën hungareze HUPEX, ndërsa rreth 50 për qind më i lartë në ALPEX për zonën e Kosovës”, tha ministrja.

Gjatë fjalës së saj, Rizvanolli ka sqaruar edhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve dhe kompanive që operojnë në sektorin e energjisë, duke theksuar se secila prej tyre ka kompetenca të përcaktuara me ligj.

Sipas saj, Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për hartimin e politikave energjetike dhe zbatimin e strategjisë së energjisë, ndërsa ZRRE-ja ushtron funksionin e rregullatorit dhe mbikëqyr respektimin e detyrimeve nga ndërmarrjet e licencuara.

KOSTT-i merret me operimin e sistemit të transmetimit dhe balancimin e tij, KEK-u me prodhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve gjeneruese, ndërsa KEDS-i me funksionimin dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes.

Ministrja ka theksuar se përgjegjësia për sigurimin dhe kontraktimin e energjisë elektrike për konsumatorët u takon furnizuesve të licencuar.

“Ministria e Ekonomisë harton politikat energjetike dhe udhëheq zbatimin e strategjisë së energjisë. ZRRE-ja është autoriteti i pavarur, përgjegjës për rregullimin e sektorit, mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe rregullatore nga ana e ndërmarrjeve të licencuara, si dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. KOSTT-i është përgjegjës për operimin e sigurt të sistemit, transmetimin dhe balancimin. KEK-u, për operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të vetëprodhimit, ndërsa operatori i sistemit të distribucionit, KEDS-i, për operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes. Sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve është detyrim i furnizuesve të licencuar”, u shpreh Rizvanolli.

Me themelimin e kësaj task-force, Ministria e Ekonomisë synon koordinim më të madh ndërmjet institucioneve dhe ndërmarrjeve të sektorit energjetik për përgatitjen dhe menaxhimin e sezonit dimëror 2026-2027./lajmi.net/