“Qitni emrat”, “Ne e dimë saktësisht kush është” – Debat mes Tahirit e Kusari-Lilës për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, janë përplasur lidhur me akuzat për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në institucionet e Qeverisë. Kusari-Lila i ka kërkuar Tahirit që akuzat e tij t’i bëjë konkrete, duke përmendur emra dhe raste të caktuara, në vend të deklarimeve të përgjithshme.…
Lajme
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, janë përplasur lidhur me akuzat për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në institucionet e Qeverisë.
Kusari-Lila i ka kërkuar Tahirit që akuzat e tij t’i bëjë konkrete, duke përmendur emra dhe raste të caktuara, në vend të deklarimeve të përgjithshme.
Ajo ka kundërshtuar edhe pretendimin e Tahirit se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë pasur përvojë në opozitë. Sipas saj, 12 përfaqësues të kabinetit kanë qenë pjesë e opozitës parlamentare ose asaj të shoqërisë civile, ndërsa ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti.
“Opinonet e pambështetura në fakte bien. Nëse deklaroheni për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, duhet t’i thoni me emra”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Në anën tjetër, Tahiri ka insistuar se akuzat e tij bazohen në raste konkrete të punësimeve në ministri dhe institucione të pavarura.
Ai ka paralajmëruar se do t’i publikojë emrat e personave për të cilët pretendon se janë punësuar në institucione, duke ngritur gjithashtu çështjen e personave me aktakuza që, sipas tij, vazhdojnë të mbajnë pozita në ministrinë që drejton Kusari-Lila.
“Ne e dimë saktësisht listën se kush ku është. Ju keni persona me aktakuzë në ministrinë tuaj. Pse i mbani, ministre?”, ka deklaruar Tahiri.
Përplasja mes tyre vjen pas kritikave të Tahirit ndaj përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të kabinetit qeveritar, ndërsa mbetet të shihet nëse ai do t’i bëjë publike emrat dhe rastet për të cilat ka folur.